
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se sulmi me dron detar ndaj një korvete ruse e kishte origjinën nga territori shqiptar.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i cilëson këto raportime të pasakta dhe mohon kategorikisht përfshirjen e Shqipërisë në incident.
Ministria thekson se territori shqiptar nuk është përdorur dhe as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e sulmit.
Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.