VIDEO/ Sulmi me dron ndaj anijes ruse, reagon Ministria e Mbrojtjes, OKB kërkon hetim të pavarur

VIDEO/ Sulmi me dron ndaj anijes ruse, reagon Ministria e Mbrojtjes, OKB kërkon hetim të pavarur

10:47, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edhe Ministria e Mbrojtjes reagoi pas disa raportimeve të paverifikuara se një sulm me dronë ndaj një anije luftarake ruse në Libi është nisur nga Shqipëria.

Ministria thotë se ky pretendim nuk është shoqëruar nga asnjë provë e verifikueshme.

“Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.

Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.

Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.

Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova,” thuhet në reagim.

Ndërkohë media Middle East Online raporton se OKB ka kërkuar hetim të pavarur për këtë ngjarje.

Misioni i Mbështetjes së Kombeve të Bashkuara në Libi (UNSMIL) u bëri thirrje të hënën autoriteteve për një hetim të pavarur lidhur me sulmet ndaj dy anijeve, një ruse dhe një tjetër malteze, në portin e Bengazit dhe në ujërat pranë brigjeve të qytetit. Misioni ofroi ndihmën e tij për autoritetet libiane në zhvillimin e hetimit.

Në një deklaratë, UNSMIL tha se ishte thellësisht e shqetësuar për sulmet e së dielës ndaj portit ushtarak detar dhe ujërave pranë Bengazit, duke theksuar se sovraniteti, integriteti territorial i Libisë, si dhe siguria e qytetarëve dhe aseteve të saj, duhet të respektohen plotësisht.

Misioni bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent, me qëllim zbardhjen e fakteve dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës. Ai u kërkoi të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale, të shmangin përhapjen e informacioneve të paverifikuara dhe të mos e politizojnë incidentin gjatë kohës që hetimi është në zhvillim.

Gjithashtu, paralajmëroi kundër veprimeve apo deklaratave përshkallëzuese që mund të nxisin tensionet brenda Libisë ose ta përfshijnë vendin në përballje më të gjera rajonale apo ndërkombëtare.

“Libia nuk mund ta përballojë dhe nuk duhet të shndërrohet në një arenë konfliktesh të jashtme”, thuhet në deklaratën e misionit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco