Ekzekutimi i Selami Hasanit, nëndrejtori i Policisë Fier: Viktima ishte duke punuar jashtë shtëpisë kur u qëllua për vdekje
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në lagjen “1 Maji”, ku ka mbetur i vrarë Selami Hasani, ndërsa është plagosur nipi i tij.
Sipas Ahmetajt, njoftimi për të shtënat është marrë rreth orës 09:50 në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur forcat “Shqiponja”, të cilat kanë konstatuar viktimën dhe personin e plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të banesës së viktimës, i cili në momentin e të shtënave ka qenë duke punuar. I plagosuri është nipi i tij dhe aktualisht po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.
Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i malit”, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Fier, më 25 mars 2002.
Asokohe, në tregun e kambistëve në qytet u vranë Julian Isufaj, i afërm i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjerë dhe lidhej me një konflikt të hershëm mes familjeve dhe grupeve në Fier.
Pas rreth shtatë vitesh në kërkim, Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dy pistoleta. Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite heqje lirie.
Fjala e plotë e Nëndrejtorit të Policisë Fier:
“Alkët Ahmetaj: Rreth orës 09:50, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka mbërritur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen “1 Maji”. Pas marrjes së njoftimit, forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku kanë konstatuar se një shtetas kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur. Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprës penale.
Pra, i plagosuri është nipi i viktimës?
Alkët Ahmetaj: Po, është nipi i viktimës. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.
Në rrethrrotullimin e Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, është gjetur një autoveturë e djegur. A ka lidhje me ngjarjen?
Alkët Ahmetaj: Shërbimet e policisë po verifikojnë të gjitha informacionet për automjetet dhe personat e dyshuar. Veprimet hetimore po vijojnë. Do t’ju informojmë për çdo zhvillim të ri në lidhje me hetimin.
Nëndrejtor, a u prish qetësia në qarkun e Fierit me vrasjen e sotme?
Alkët Ahmetaj: Policia e Shtetit punon në çdo moment për të parandaluar ngjarjet kriminale. Në këtë rast do të marrim masat për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë. Kjo është detyra jonë. Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset ku mund të lëvizin autorët ose automjetet që mund të jenë përfshirë në ngjarje.
Në vendngjarje ka kamera sigurie. Sipas informacioneve që kam marrë, autorët kanë qenë me maska dhe kanë kaluar nga muri rrethues i banesës. A e konfirmoni?
Alkët Ahmetaj: Mund t’ju them se viktima ka qenë duke punuar në murin rrethues të banesës së tij. Aty ka ndodhur ngjarja. Po kryhet këqyrja e vendit të ngjarjes dhe po merren pamjet e kamerave. Për momentin, po kryhen veprimet e para hetimore. Do t’ju informojmë për zhvillimet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




