
Ish-drejtoresha e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri, ka reaguar ditën e sotme pas shkarkimit të saj nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Beqiri shkruan:
Në gusht të vitit 2015 m’u besua një përgjegjësi e veçantë: kujdesi, mirërritja dhe edukimi i fëmijëve të Tiranës. Sot, pas më shumë se njëmbëdhjetë vitesh, e mbyll këtë kapitull me mirënjohje, krenari për punën e bërë dhe respekt për të gjithë bashkëpuntorët me të cilët e ndava këtë rrugëtim.
Drejtimi i një institucioni publik është, para së gjithash, përgjegjësi ndaj qytetarëve, besimi i të cilëve fitohet me punë, korrektësi, transparencë dhe ndershmëri.
Gjatë këtyre viteve, me angazhim, përgjegjësi e profesionalizëm, kam punuar fort për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të më të mirës për zhvillimin e plotë të potencialit të fëmijëve.
Sot, 2.333 punonjës të DPÇK-së kujdesen çdo ditë për rreth 13.000 fëmijë, duke u ofruar një mjedis të sigurt, shërbim cilësor dhe edukim me metodologji bashkëkohore.
Përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që çmoj më shumë është marrëdhënia që kemi ndërtuar me mijëra familje të Tiranës. Falenderoj çdo prind e qytetar për besimin dhe vlerësimin ndër vite.
Çdo arritje u bë e mundur falë njerëzve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Falënderoj çdo mësuese, edukatore, ndihmëse, specialiste, punonjëse e punonjës të DPÇK-së. Ju jeni forca e vërtetë e këtij institucioni.
Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!
Largohem me bindjen se vlera e punës së një drejtuesi mbetet te standardet e vendosura dhe njerëzit që do ta çojnë punën përpara.
Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten.
Me respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush,
Zhaneta Beqiri.
