AMP zbardh detajet e operacionit antidrogë në Gramsh, dy të arrestuar, një i ndaluar dhe një në kërkim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka bërë të ditura rezultatet e operacionit antidrogë të zhvilluar një ditë më parë në Gramsh. Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Në kuadër të hetimeve për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, janë kryer kontrolle në disa banesa, ku janë sekuestruar 560 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 150 gramë Cannabis Sativa dhe 0.62 gramë kokainë.
Në përfundim të veprimeve, janë arrestuar në flagrancë dy persona, 33 dhe 39 vjeç. Sipas AMP-së, ndaj tyre ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
Gjithashtu, është ndaluar një 46-vjeçar, ndërsa një 31-vjeçar është shpallur në kërkim.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me përfshirjen e mundshme të punonjësve të Policisë në këtë veprimtari të paligjshme. AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.




