Moti i keq në Pogradec, katër fshatra mbeten pa energji elektrike
23/11/2026 10:04
Të paktën katër fshatra të njësisë administrative Trebinjë, në Pogradec, kanë mbetur pa energji elektrike pas reshjeve të shiut dhe erës së fortë gjatë natës.
Ndërprerja ka prekur Çezmën e Madhe, Çezmën e Vogël, Hondishtin dhe Llëngën.
Probleme me furnizimin ka edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik. Mes fshatrave pa energji janë Bishnica, Jolla, Velçani, Buzaishta dhe Shpella.
OSHEE bën me dije se disa ekipe ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Zona mbeti pa energji edhe rreth një javë më parë për më tepër se 48 orë, për shkak të kushteve të motit.
Top Channel