Një krijesë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi një peshk me ngjyrë të verdhë të ndezur është zbuluar në ujërat e liqenit Oswego, në shtetin e Nju Jorkut.

Zbulimi ka shkaktuar habi për shkak të pamjes tepër të rrallë të peshkut, i cili i përket species Lota lota. Normalisht, këta peshq kanë ngjyrë kafe të errët, gri ose të zezë, shpesh me njolla.

Sipas ekspertëve, ngjyra e pazakontë shkaktohet nga një fenomen biologjik i quajtur ksantokromizëm, një ndryshim i rrallë gjenetik që ndikon në pigmentimin e trupit, duke krijuar nuanca të forta të verdha ose portokalli.

Shërbimi Amerikan i Peshkut dhe Jetës së Egër e ka cilësuar këtë ekzemplar si një rast jashtëzakonisht të rrallë, pothuajse një në një milion. Peshku u zbulua rastësisht nga një grup biologësh gjatë një kontrolli rutinë për specie ujore pushtuese në portin e Oswegos.

Megjithatë, studiuesit vunë re se kafsha ishte shumë e dobët dhe shfaqte shenja të gjendjes së keqe shëndetësore. Për këtë arsye, peshku u dërgua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Cornell, ku do t’u nënshtrohet analizave të specializuara.

Shkencëtarët shpresojnë se studimi i këtij ekzemplari të rrallë do të ndihmojë jo vetëm në kuptimin e ndryshimeve gjenetike, por edhe në vlerësimin e gjendjes së popullatave të kësaj specieje dhe mbrojtjen e tyre në të ardhmen.