Danimarka planifikon ndalimin e telefonave në shkolla nga viti 2027, bllokohen edhe rrjetet sociale dhe lojërat online

Qeveria e Danimarkës po planifikon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe ato të mesme të ulëta, duke nisur nga viti i ri shkollor 2027. Nisma parashikon gjithashtu instalimin e filtrave të posaçëm në rrjetet e internetit të shkollave, me qëllim kufizimin e aksesit në faqe dhe platforma që nuk lidhen me procesin mësimor.
Sipas Ministrisë së Arsimit, kufizimet nuk do të përfshijnë vetëm telefonat inteligjentë, por edhe pajisje të tjera elektronike personale që mundësojnë lidhjen me internetin. Qëllimi është reduktimi i shpërqendrimeve gjatë orëve të mësimit dhe krijimi i një ambienti ku nxënësit të përqendrohen më shumë te procesi edukativ. “Fëmijët duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë pa u shpërqendruar vazhdimisht nga gjëra të tilla si rrjetet sociale, blerjet online dhe videolojërat”, deklaroi ministri danez i Arsimit, Magnus Heunicke.
Përveç ndalimit të telefonave, filtrat e internetit do të kufizojnë aksesin në rrjetet sociale, lojërat online dhe platformat e tregtisë elektronike gjatë orëve të mësimit. Megjithatë, vendimi për faqet që do të bllokohen nuk do të merret vetëm në nivel qendror, pasi bashkitë dhe vetë shkollat do të kenë mundësi të përcaktojnë përmbajtjet që do të kufizohen, në varësi të nevojave arsimore.
Me këtë nismë, Danimarka i bashkohet vendeve të tjera që kanë ndërmarrë masa për kufizimin e telefonave në shkolla, si Holanda, Koreja e Jugut dhe Italia. Edhe Polonia dhe Çekia kanë paraqitur propozime të ngjashme, ndërsa debati mbi ndikimin e telefonave dhe rrjeteve sociale në përqendrimin dhe sjelljen e nxënësve po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në Evropë.




