Më shumë se 450 shkolla në Gjermani janë vënë në alarm këtë të hënë, pasi kanë marrë email-e kërcënuese për vendosjen e bombave. Mesazhe të ngjashme janë raportuar edhe në shkolla në Danimarkë.
Sipas mediave gjermane, policia e Freiburgut bëri të ditur se kërcënimet janë dërguar përmes postës elektronike në më shumë se 450 institucione arsimore në të gjithë vendin.
Mesazhet kishin të njëjtën përmbajtje dhe mbanin titullin “Vdekja ju pret”. Deri më tani nuk dihet identiteti i personit apo personave që qëndrojnë pas tyre, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Megjithatë, autoritetet gjermane bëjnë me dije se, bazuar në informacionet paraprake, kërcënimet nuk konsiderohen të besueshme.
Paralelisht, edhe policia daneze ka marrë disa sinjalizime për vendosjen e bombave në shkolla në të gjithë vendin, por i ka cilësuar ato si të pabazuara.
“Kërcënimet kishin të bënin me institucione arsimore në të gjithë vendin dhe vlerësojmë se janë të pabazuara”, deklaroi policia e Kopenhagës, duke konfirmuar se mesazhet ishin dërguar përmes email-it.
Autoritetet daneze theksuan se janë në kontakt me komunitetet dhe drejtuesit e shkollave për të trajtuar situatën dhe për të shmangur përhapjen e pasigurisë.
Ndërkohë, policia në Jutlandën e Veriut bëri të ditur se aktualisht nuk ka arsye për evakuimin e shkollave apo për marrjen e masave të posaçme të sigurisë.
Rastet në Gjermani dhe Danimarkë vijnë në një kohë kur disa vende evropiane janë përballur gjatë javëve të fundit me kërcënime të rreme për bomba në shkolla dhe avionë, si dhe me sulme kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete.
Incidentet dyshohet se mund të jenë pjesë e një fushate të luftës hibride, megjithëse deri më tani nuk ka prova që ta konfirmojnë këtë pistë.
Javën e kaluar, më shumë se 10 shkolla në Spanjë u evakuuan pas një kërcënimi për vendosjen e bombës. Ndërsa në fillim të nëntorit, masa të ngjashme u morën edhe në disa shkolla në Itali, pas marrjes së mesazheve kërcënuese.













