Aktualitet

Ekzekutimi i Selami Hasanit, nëndrejtori i Policisë Fier: Po punonte në oborrin e shtëpisë kur u vra!

Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj, ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në lagjen “1 Maji”, ku ka mbetur i vrarë Selami Hasani, ndërsa është plagosur nipi i tij.

Sipas Ahmetajt, njoftimi për të shtënat është marrë rreth orës 09:50 në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur forcat “Shqiponja”, të cilat kanë konstatuar viktimën dhe personin e plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të banesës së viktimës, i cili në momentin e të shtënave ka qenë duke punuar. I plagosuri është nipi i tij dhe aktualisht po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.

Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i malit”, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Fier, më 25 mars 2002.

Asokohe, në tregun e kambistëve në qytet u vranë Julian Isufaj, i afërm i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjerë dhe lidhej me një konflikt të hershëm mes familjeve dhe grupeve në Fier.

Pas rreth shtatë vitesh në kërkim, Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dy pistoleta. Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite heqje lirie.

Rreth orës 09:50, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka mbërritur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen “1 Maji”. Pas marrjes së njoftimit, forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku kanë konstatuar se një shtetas kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur. Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty.

Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprës penale.

Pra, i plagosuri është nipi i viktimës?

Ahmetaj: Po, është nipi i viktimës. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.