Tania Visirova, balerina pariziane që jetoi në hijen e Mbretit Zog: Dashuria sekrete, dhuratat mbretërore, toka në Xhafzotaj dhe përpjekja për pension nga shteti shqiptar.
Historia e Tania Visirovës është një nga episodet më pak të njohura, por më intriguese, të jetës private të Mbretit Ahmet Zogu I.
Një grua që nisi jetën si emigrante e varfër në Paris, u bë pjesë e skenës së famshme të kabareve franceze, përfundoi në Shqipëri në fund të viteve 1920 dhe, sipas kujtimeve të saj, për disa vite jetoi në një marrëdhënie të veçantë dashurie me mbretin shqiptar.
Por historia e saj nuk përfundon me largimin nga Shqipëria. Dekada më vonë, në vitin 1977, ajo do të paraqitej pranë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Francë, duke kërkuar pension nga shteti shqiptar dhe duke u interesuar për një pronë që pretendonte se ia kishte dhuruar Ahmet Zogu.
Kjo është një histori që përfshin dashurinë, pushtetin, luksin, jetën e oborrit mbretëror shqiptar, emigracionin, kujtimet personale dhe një çështje pronësie që duket se nuk u zgjidh kurrë.
Kush ishte Tania Visirova?
Tania Visirova, emri i skenës i Tatiana Fomova-Stonovskaya, lindi në vitin 1908, në Besarabi, një territor që sot përfshihet në Moldavi.
Në disa burime përmendet qyteti i Kishinevit, sot Chișinău, ndërsa në të tjera jepen variante të ndryshme për vendlindjen e saj.
Ajo vinte nga një familje me origjinë të përzier. Sipas biografisë së saj franceze, babai ishte me origjinë ruso-polake, ndërsa nëna rumuno-moldave. Në familjen e saj përmendet edhe një gjyshe nga ana e babait me origjinë kineze.
Jeta e saj e hershme u ndërpre nga trazirat dhe pasojat e Revolucionit Bolshevik. Familja u përball me vështirësi, largime dhe pasiguri, ndërsa Tania dhe nëna e saj përfundimisht u drejtuan drejt Francës.
Në vitin 1927, Tania mbërriti në Paris. Ajo ishte e re, pa pasuri dhe me nevojën për të siguruar jetesën. Fillimisht pozoi për artistë dhe fotografë, përpara se të hynte në botën e spektaklit dhe të kabareve.
Burimet franceze e përshkruajnë si një grua me bukuri të jashtëzakonshme, e cila shumë shpejt u bë një figurë e njohur në skenën pariziane.
Nga emigrante e varfër në një nga figurat e kabareve të Parisit
Në Paris, Tania Visirova u përfshi në botën e spektaklit, ku punoi si modele dhe më pas si kërcimtare.
Ajo u bë pjesë e Folies-Bergère, një nga institucionet më të famshme të spektaklit në Paris, të njohur për revistat muzikore, kërcimin, kostumet ekstravagante dhe performancat që tërhiqnin publikun e elitës së kohës.
Në atë periudhë, Tania u njoh me pseudonimin “La Visirova” dhe, sipas shtypit francez, u konsiderua një nga femrat më të bukura të skenës pariziane.
Një artikull i gazetës Le Monde, i botuar më 19 dhjetor 1980, e riktheu atë në vëmendjen e publikut francez. Artikulli, me titull “La Vierge des Folies-Bergère”, e përshkruante Visirovën si një grua që dikur kishte qenë e bukur, e famshme dhe e pasur, por që në pleqëri jetonte e vetmuar dhe në kushte modeste.
Gazeta franceze theksonte se ajo kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe se ishte rrëfyer për jetën e saj te gazetarja Maria Craipeau.
Ky artikull është një burim i rëndësishëm, sepse tregon se historia e Visirovës nuk është vetëm një rrëfim i përsëritur nga media shqiptare. Ajo ishte gjithashtu një figurë që u intervistua dhe u dokumentua në Francë, në fund të jetës së saj.

Si përfundoi Tania Visirova në Shqipëri?
Sipas rrëfimit të saj, në vitin 1929 Tania mori një ofertë për të ardhur në Shqipëri.
Ajo mendonte se ishte kontraktuar për të kërcyer në një teatër në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve të organizuara për mbretërinë shqiptare.
Në disa versione të historisë përmendet se kontrata ishte për një periudhë të kufizuar, ndërsa pagesa ishte shumë e lartë për kohën.
Tania pranoi ofertën.
Ajo mbërriti në Shqipëri në gusht të vitit 1929. Sipas rrëfimit të publikuar nga një diplomat, ardhja e saj ishte e lidhur me një kontratë të nënshkruar për një angazhim artistik, por situata ndryshoi shpejt.
Në vend që të përfundonte angazhimin e saj si kërcimtare dhe të kthehej në Paris, Tania u vendos në Shqipëri dhe u bë pjesë e jetës private të Mbretit Ahmet Zogu.
Në disa burime thuhet se ajo u mbajt në një rezidencë në Durrës, ku mbreti e vizitonte dhe ku, sipas rrëfimit të saj, marrëdhënia dashurore mes tyre u zhvillua gradualisht.
Një marrëdhënie që zgjati disa vite
Tania Visirova dhe Ahmet Zogu, sipas rrëfimeve të vetë asaj , -“jetuam në një marrëdhënie dashurie që zgjati nga viti 1929 deri në vitin 1932 ose 1933.”
Burimet nuk janë plotësisht të njëjta në përcaktimin e kohëzgjatjes. Disa flasin për tre vite, ndërsa të tjera për katër vite.
Kjo mospërputhje mund të lidhet me mënyrën se si llogaritet periudha: nga mbërritja e saj në Shqipëri, nga fillimi i bashkëjetesës, apo deri në largimin përfundimtar.
Sidoqoftë, duket se marrëdhënia nuk ishte një episod i shkurtër. Ajo zgjati për një periudhë të konsiderueshme dhe, sipas burimeve, Tania u bë një nga gratë më të afërta me mbretin gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, ajo nuk u bë mbretëreshë.
Marrëdhënia nuk u formalizua me martesë zyrtare.
“Bënim dashuri me orar” – rrëfimi personal i Visirovës
Një nga pjesët më të veçanta të historisë së Tania Visirovës është rrëfimi i saj mbi marrëdhënien intime me Mbretin Zog. Në një intervistë dhe rrëfim të publikuar shumë vite më vonë, ajo përshkruante marrëdhënien si një lidhje ku, sipas saj, edhe intimiteti ishte i ndikuar nga protokolli dhe rutina e jetës mbretërore. Në një rrëfimin, ajo shprehet se “Protokolli parashikonte dhe orët tona të dashurisë.”
Ajo përshkruante takimet, shëtitjet, drekat dhe kohën që kalonte me mbretin, por gjithashtu shprehte pakënaqësi për mënyrën se si marrëdhënia dhe takimet ishin të mire organizuara.
Në një tjetër pjesë të rrëfimit, ajo thotë se Zogu kishte një dobësi të madhe për të, por se protokolli dhe detyrimet e funksionit mbretëror shpesh dominonin jetën e tyre private.
Është e rëndësishme të theksohet se këto janë dëshmi personale të Visirovës, të regjistruara dhe të publikuara shumë vite pas ngjarjeve. Ato nuk janë dokumente zyrtare të oborrit mbretëror.
Megjithatë, ato përbëjnë një burim të rëndësishëm për të kuptuar se si ajo e kujtonte dhe e interpretonte marrëdhënien e saj me mbretin.
Pse nuk u bë gruaja zyrtare e Mbretit Zog?
Një nga pyetjet më interesante të kësaj historie është pse Tania Visirova, pavarësisht marrëdhënies së saj të gjatë me mbretin, nuk u bë bashkëshortja e tij zyrtare.
Në rrëfimet e publikuara përmendet se familja e Mbretit Zog, veçanërisht nëna e tij, nuk e pranonte mundësinë që ai të martohej me një grua që nuk ishte myslimane.
Në disa versione, Tania thotë se mbreti kishte premtuar se nuk do të martohej me të për sa kohë nëna e tij të ishte gjallë.
Ky faktor, sipas rrëfimeve të saj, ishte një nga arsyet që marrëdhënia nuk u formalizua.
Këtu duhet të jemi të kujdesshëm: pasi këtë nuk e kemi nga burimet që kemi shqyrtuar, apo nga ndonjë një dokument zyrtar mbretëror që mund ta vërtetojë një premtim të tillë. Ky element vjen nga rrëfimet e mëvonshme të Visirovës në librin e saj.
Dhuratat e Mbretit: Bizhuteri, para dhe një pronë në Xhafzotaj
Një nga aspektet më të rëndësishme të historisë është çështja e dhuratave që Tania Visirova pretendonte se kishte marrë nga Ahmet Zogu.
Sipas disa burimeve, ajo mori: Bizhuteri të çmuara; para; dhurata personale; një unazë diamanti; një pronë në Shqipëri. Në biografinë franceze të Visirovës përmendet një unazë me diamant prej rreth 7.5 karatësh, që thuhet se iu dha nga Zogu për ditëlindjen e saj të 21-të.
Një tjetër element i përsëritur në burimet e kohës është dhurimi i 10.000 metrave katrorë tokë në Xhafzotaj, në zonën e Durrësit.
Në disa artikuj, sipërfaqja përshkruhet si 10 hektarë, por këtu ka një mospërputhje të rëndësishme: 10.000 metra katrorë = 1 hektar; 10 hektarë = 100.000 metra katrorë.
Pra, burimet që përmendin 10.000 m² dhe ato që përmendin 10 ha nuk janë duke dhënë të njëjtën sipërfaqe.
Kjo është një mospërputhje që duhet sqaruar përmes dokumenteve të pronësisë, nëse ato ekzistojnë.
Nuk duhet të paraqitet automatikisht si fakt i provuar se Tania zotëronte 10 hektarë tokë. Ajo që mund të thuhet është se në rrëfimet e saj dhe në artikujt e mëvonshëm përmendet një dhuratë toke në Xhafzotaj, por sipërfaqja ndryshon sipas burimit./Ndrek Gjini, Irlandë/
Për me tepër lexoni:
Kush ishte Tania, e dashura moldave e Mbretit Zog — KOHA JONË
