Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po pret që ekspertët të përfundojnë brenda këtyre ditëve draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara. Hartimi i tij vjen pas marrëveshjes së arritur javën e kaluar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për ndryshimet që synojnë kufizimin e mandatit dhe juridiksionit të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë”, tha Kurti të hënën, pas ceremonisë për 27-vjetorin e themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Marrwveshja mes dy palwve u arrit më 19 nëntor, pas takimit të Kurtit me ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, dhe ish-kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamza.

Çitaku shpjegoi se drafti i ri do të mbështetet në tekstin e miratuar më parë nga Kuvendi në dy lexime, por do të përfshijë edhe propozimet e PDK-së dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara erdhi pas vendimit të 16 shtatorit 2026, kur ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim.

Ndryshimet e propozuara synojnë kufizimin e mandatit dhe juridiksionit të Gjykatës Speciale, si dhe forcimin e garancive për të drejtat kushtetuese të personave që gjykohen në Hagë. Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi në dy lexime projektligjin e propozuar nga PDK-ja, me 88 vota pro.

Megjithatë, më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim, pas kërkesës së vetë PDK-së për përfshirjen e rekomandimeve të ekspertëve juridikë. Përpjekja për ta votuar sërish ligjin më 13 nëntor dështoi për mungesë kuorumi. Më pas, mes PDK-së dhe Vetëvendosjes lindën mosmarrëveshje për procedurën që duhej ndjekur.

PDK-ja kërkonte rrëzimin e vetos presidenciale dhe ndryshimin e ligjit në një fazë të mëvonshme, ndërsa Vetëvendosje kishte rezerva për këtë rrugë procedurale. Më 19 nëntor, pas takimit të Kurtit me ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, dhe ish-kryetarin e kësaj partie, Bedri Hamza, palët ranë dakord për hartimin e një projektligji të ri.

Çitaku bëri të ditur se teksti i ri do të mbështetet në projektligjin e miratuar në tetor, por do të përfshijë edhe propozimet e PDK-së dhe rekomandimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

Ndërkohë, një grup punues shtetëror po përgatit edhe strategjinë për mbrojtjen në procesin e apelit në Hagë.