Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dypalësh në Athinë me homologun grek, George Gerapetritis, në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor.Në fokus të bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, procesi i integrimit europian, si dhe zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet rajoni. Dy ministrat kanë rikonfirmuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes vendeve, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe vijimin e dialogut konstruktiv, në frymën e fqinjësisë së mirë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe rëndësisë së zgjerimit të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor, si një faktor kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Nga ana e tij, kryediplomati shqiptar ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke ritheksuar angazhimin për avancimin e negociatave dhe përmbushjen e reformave të kërkuara.Gjatë takimit është nënvizuar gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit mes dy vendeve si aleate në NATO, ndërsa në përfundim, ministri Hoxha ka ftuar homologun grek për një vizitë në Shqipëri në të ardhmen e afërt, me qëllim vijimin e dialogut dypalësh.