Shefi i NATO-s: Po përballemi me rreziqe të mëdha

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar për rreziqet në rritje ndaj sigurisë së vendeve anëtare, duke theksuar se Rusia po vazhdon të fuqizojë industrinë e saj ushtarake, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Gjatë një fjalimi në Berlin, Rutte u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të rrisin investimet në mbrojtje dhe të përgatiten për kërcënimet e ardhshme.
“Po përballemi me rreziqe të mëdha. E dimë se makineria e luftës e Rusisë aktualisht po funksionon me kapacitet të plotë”, deklaroi Rutte.
Ai paralajmëroi se ekonomia ruse e luftës po vazhdon të zgjerohet dhe se ky proces nuk do të ndalet domosdoshmërisht edhe pas përfundimit të konfliktit në Ukrainë.
“Ekonomia e saj e luftës vazhdon të rritet dhe nuk do të ndalet kur lufta kundër Ukrainës, shpresojmë, të përfundojë një ditë”, theksoi kreu i NATO-s.
Sipas tij, kërcënimet e sigurisë prekin të gjitha vendet anëtare të Aleancës, prandaj ato duhet të veprojnë përpara se rreziqet të përshkallëzohen.
“Të gjithë jemi objektiv dhe të gjithë jemi të prekur. Duhet të jemi një hap përpara rrezikut”, u shpreh Rutte.
Ai kërkoi nga shtetet anëtare të paraqesin plane të besueshme për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe sigurimin e investimeve afatgjata në mbrojtje.
“Mbështetem te secili prej jush për të ndërtuar mbështetjen politike dhe publike për përshpejtimin e investimeve në mbrojtje dhe për ruajtjen e tyre në planin afatgjatë”, përfundoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s. /Telegrafi/


































