Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Endrit Azemin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Prokuroria njofton se Azemi dyshohet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026, duke paraqitur rremë se vuante nga leukemia akute dhe se kishte nevojë për trajtim jashtë vendit, ka grumbulluar gjithsej 189,206 euro e 80 cent nga qytetarë të ndryshëm.
Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri ka prezantuar dokumentacion të dyshuar si të falsifikuar, që pretendonte se e kishte marrë nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohej trajtimit për sëmundjen. Prokuroria raporton se përmes platformës së mbledhjes së fondeve “GoFund” janë mbledhur 162,522 euro, ndërsa përmes aktiviteteve të organizuara nga familjarët dhe persona të tjerë në qytetin e Gjilanit janë mbledhur shtesë 26,684 euro e 80 cent.
Në kërkesën e saj, Prokuroria thekson se veprimet e dyshuara kanë shkaktuar dëm material për qytetarë të ndryshëm dhe se i pandehuri ka përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme. Veprat për të cilat akuzohet Azemi cilësohen si mashtrim nën nenin 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

