Britania projekton avionë luftarakë pa pilot për misionet më të rrezikshme

Inteligjenca Artificiale pritet të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e Forcave Ajrore Mbretërore britanike (RAF), ndërsa avioni i ri luftarak “Tempest” mund të jetë i fundit i projektuar për të fluturuar me pilotë në bord.
Lajmi është bërë i ditur nga shefi i RAF, gjenerali Sir Harv Smith, i cili deklaroi se teknologjia AI dhe sistemet autonome do të marrin përsipër disa nga misionet më të rrezikshme që aktualisht kryhen nga njerëzit.
Sipas tij, avionët luftarakë pa pilot pritet të nisin fluturimet në hapësirën ajrore britanike që vitin e ardhshëm. Ai theksoi se inteligjenca artificiale duhet të mbështesë gjykimin njerëzor dhe jo të zëvendësojë përgjegjësinë e njeriut.
Avioni “Tempest” po zhvillohet në kuadër të programit ndërkombëtar GCAP, ku bashkëpunojnë Britania e Madhe, Italia dhe Japonia. Projekti synon krijimin e një avioni luftarak me sensorë të avancuar dhe integrim të inteligjencës artificiale.
“Tempest” pritet të kombinojë pilotimin njerëzor me sisteme autonome, ndërsa në të ardhmen avionët pa pilot mund të marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në operacionet ushtarake.
Ndërkohë, RAF ka zgjeruar përdorimin e dronëve. Në tetor, për herë të parë, një dron i tipit Protector u angazhua për monitorimin e anijeve luftarake ruse dhe mjeteve të tjera të huaja në Kanalin Anglez.
Megjithatë, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë autonome, drejtuesit e aviacionit britanik theksojnë se faktori njerëzor do të mbetet thelbësor në të ardhmen e forcave ajrore.




