
Industria e inteligjencës artificiale duhet t’i japë përparësi sigurisë dhe kontrollit njerëzor, në vend që t’ua kalojë pa kufizime vendimmarrjen makinave. Kështu paralajmëroi Alexandr Wang, drejtuesi i inteligjencës artificiale në Meta, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në këtë fushë dhe rrezikut që mund të paraqesin modelet e superinteligjencës për njerëzimin, përcjell Euronews.
Në një reagim të publikuar të dielën në rrjetin social X, Wang u ndal te njoftimi i kompanisë rivale Anthropic, e cila deklaroi të premten se një prej matematikanëve të saj kishte përdorur modelin Claude për të zgjidhur problemin e njohur matematikor të Hipotezës së Riemann-it.
Kjo hipotezë lidhet me shpërndarjen e numrave të thjeshtë dhe sugjeron se pamja e tyre në dukje e rastësishme ndjek një model të fshehtë matematikor. Zgjidhja e saj mund të ketë pasoja të rëndësishme në të ardhmen, përfshirë përmirësimin e efikasitetit të sistemeve kompjuterike.
Wang e cilësoi këtë zhvillim si “fillimin e një ndryshimi të rëndësishëm”, duke argumentuar se asnjë arritje tjetër e njerëzimit nuk mund të krahasohet me provimin e Hipotezës së Riemann-it për nga fuqia dhe kapaciteti intelektual që kërkon.
Sipas tij, zhvillime të tilla shtrojnë pyetjen nëse inteligjenca artificiale mund të tejkalojë aftësitë njerëzore në një nivel që do ta bëjë të vështirë ruajtjen e kontrollit mbi të.
“Është e vështirë të imagjinohet një botë ku njerëzimi mund të ruajë kontrollin mbi një proces të pakufizuar vetëpërmirësimi të përsëritur”, shkroi Wang.
Ai shtoi se është po aq e vështirë të përfytyrohet se si njerëzimi mund të ruajë kontrollin mbi një superinteligjencë që është 1 000 herë më e zgjuar dhe më e aftë se njerëzit në çdo fushë.
Drejtuesi i AI-së në Meta kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si “mendim dembel” në industrinë e inteligjencës artificiale, sipas të cilit zhvillimi i sistemeve që tejkalojnë inteligjencën njerëzore në të gjitha fushat është i pashmangshëm dhe nuk mund të ndalet.
“Ne nuk duhet të pranojmë që shoqëria t’i dorëzohet inteligjencës artificiale”, paralajmëroi ai, duke theksuar se industria duhet të ndërtojë teknologji që i shërben një të ardhmeje pozitive për njerëzimin dhe u jep njerëzve më shumë mundësi dhe kontroll mbi jetën e tyre.
Wang e mbylli reagimin duke theksuar se kjo është e mundur, por kërkon që e gjithë industria të ndërmarrë hapa të ndryshëm nga rruga që po ndjek aktualisht.
Deklaratat e Wang vijnë në një kohë kur debati ndërkombëtar mbi rreziqet e inteligjencës artificiale është intensifikuar. Shqetësimet lidhen jo vetëm me ndikimin e saj në tregun e punës dhe ekonomi, por edhe me sigurinë, të drejtat e njeriut dhe përdorimin e armëve autonome.
Paralajmërime të ngjashme janë bërë edhe nga drejtues dhe studiues të tjerë të industrisë. Të premten, studiues të Google DeepMind, mes tyre Tim Genewein, paralajmëruan se superinteligjenca e përgjithshme artificiale mund të jetë së shpejti e arritshme, duke hapur rrugën për modele që mund të përmirësojnë vazhdimisht vetveten.
Të dielën, OpenAI u bëri thirrje publikisht kompanive rivale të bien dakord për kufizime të përbashkëta sigurie, deri në krijimin e mjeteve më të avancuara për monitorimin dhe kontrollin e sistemeve.
Në shtator, drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara, në mënyrë që të ketë kohë për vendosjen e mekanizmave të nevojshëm të sigurisë. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga disa drejtues politikë, mes tyre presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi nevojën për rregulla globale.
Në të kundërt, presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur një qasje ku kompanitë e mëdha të teknologjisë mbikëqyrin vetë aktivitetin e tyre. Në fund të shtatorit, ai zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanive kryesore amerikane të inteligjencës artificiale, ku u arrit një marrëveshje që ato të vetërregullohen.
Ndërkohë, kryeministri kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar, në mënyrë që inteligjenca artificiale të mbetet nën kontrollin e njerëzve. Edhe kryeministri kanadez Mark Carney paralajmëroi javën e kaluar se mungesa e një qeverisjeje globale për inteligjencën artificiale përbën një rrezik të madh.