Transferimi i parave nga një bankë në tjetrën në Kosovë, që deri më tani mund të merrte disa orë apo të shtyhej deri në ditën e ardhshme të punës, mund të kryhet tashmë brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi më 23 nëntor se Sistemi i Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K) ka nisur funksionimin dhe se transferet e para të menjëhershme janë realizuar me sukses.
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset mund të transferojnë para edhe gjatë natës, fundjavave dhe festave zyrtare, pa u kufizuar nga orari i zakonshëm i bankave.
Megjithatë, shërbimi nuk është ende i disponueshëm për klientët e të gjitha bankave.
Në fazën e parë, atë e ofrojnë katër banka komerciale: ProCredit Bank, Banka për Biznes (BPB), Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.
Klientët e tyre mund të transferojnë deri në 3.000 euro për transaksion, me kusht që banka e dërguesit dhe ajo e pranuesit të jenë të dyja pjesë e sistemit.
Transferet kryhen përmes llogarive dhe kanaleve ekzistuese digjitale të bankave, pa pasur nevojë për hapjen e llogarive apo instalimin e aplikacioneve të reja.
Në këtë fazë, sistemi nuk përfshin pagat, pensionet, pagesat qeveritare dhe transferet ndërkombëtare.
BQK-ja paralajmëroi se kufiri i transferit do të rritet në 10.000 euro në një fazë të mëvonshme, brenda vitit të parë të funksionimit të sistemit.
Çfarë ndryshon për qytetarët dhe bizneset?
Deri më tani, transferet deri në 10.000 euro nga një bankë në tjetrën realizoheshin vetëm në tri orare të caktuara gjatë ditës, përmes sistemit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kjo nënkuptonte se një pagesë e iniciuar jashtë orarit të procesimit, veçanërisht gjatë fundjavës apo festave zyrtare, zakonisht duhej të priste deri në ditën e ardhshme të punës.
Me sistemin e ri, kjo pritje eliminohet për transferet që përmbushin kushtet e shërbimit.
Për qytetarët, kjo nënkupton mundësi për të dërguar dhe pranuar para pothuajse menjëherë, ndërsa për bizneset pritet të lehtësojë pagesat ndaj furnitorëve, përmbushjen e detyrimeve financiare dhe menaxhimin e mjeteve.
Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) e mirëpresin fillimin e zbatimit të sistemit, duke vlerësuar se ai do të ndikojë pozitivisht në aktivitetin e bizneseve.
“Deri më tani, bizneset janë përballur me pengesa në realizimin e pagesave në kohë, ndërsa funksionalizimi i sistemit pritet të ndikojë pozitivisht në efikasitetin e transaksioneve dhe qarkullimin e mjeteve financiare në ekonomi”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i kësaj dhome, Kushtrim Ahmeti.
Sipas tij, mundësia për të kryer pagesa të menjëhershme është veçanërisht e rëndësishme për marrëdhëniet me furnitorët dhe partnerët afaristë.
Kur do t’u mundësohet shërbimi klientëve të bankave të tjera?
Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale, por vetëm katër prej tyre janë përfshirë në fazën e parë të sistemit TIPS-K.
Gjashtë bankat e tjera pritet t’i bashkohen gradualisht deri më 23 shkurt 2027, pas përfundimit të përgatitjeve teknike dhe operative.
Deri atëherë, klientët e bankave që nuk janë pjesë e sistemit do të vazhdojnë t’i përdorin mënyrat ekzistuese të transferimit të parave.
Edhe transferet mbi kufirin prej 3.000 eurosh do të vazhdojnë të procesohen përmes kanaleve ekzistuese bankare.
Sa do të kushtojnë transferet?
Nga 23 nëntori 2026, të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare, pavarësisht datës kur kyçen në sistemin TIPS-K.
Bankat do t’i përcaktojnë tarifat e tyre brenda kufijve maksimalë të miratuar nga BQK-ja.
Gjatë tre muajve të parë, për transferet deri në 300 euro nuk do të ketë tarifë.
Nga 24 shkurti 2027, tarifa maksimale për këto transfere do të jetë pesë centë.
Për transferet mbi 300 euro deri në 3.000 euro, tarifa maksimale do të jetë 15 centë.
Kjo do të thotë se bankat mund të aplikojnë tarifa më të ulëta, por nuk mund t’i tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga BQK-ja.
Sa të sigurta janë pagesat e menjëhershme?
BQK-ja bëri të ditur se ka përmbyllur kornizën rregullative dhe operative për funksionimin e sistemit, përfshirë masat për parandalimin e mashtrimeve, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Megjithatë, shpejtësia e transferimit kërkon kujdes nga përdoruesit, pasi paratë kalojnë pothuajse menjëherë në llogarinë e përfituesit.
BQK-ja u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, para konfirmimit të pagesës, të kontrollojnë me kujdes emrin dhe mbiemrin e përfituesit, numrin e llogarisë bankare (IBAN) dhe shumën që transferojnë.
Përdoruesit paralajmërohen, gjithashtu, të mos ndajnë me askënd fjalëkalimet, kodet e sigurisë apo të dhënat e tjera të ndjeshme.
Nëse një transfer nuk konfirmohet menjëherë, BQK-ja rekomandon që klientët fillimisht ta kontrollojnë statusin e tij në aplikacionin bankar ose të kontaktojnë bankën, përpara se ta përsërisin pagesën.
BQK-ja tha se po monitoron funksionimin e sistemit dhe integrimin gradual të bankave të tjera, në bashkëpunim me bankat pjesëmarrëse dhe, sipas nevojës, me Bankën e Italisë.
Sistemi TIPS-K u lansua zyrtarisht më 20 nëntor, ndërsa funksionimi i tij nisi më 23 nëntor.
Ai është pjesë e projektit rajonal TIPS Clone, i zhvilluar me mbështetjen e Bankës së Italisë, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës Botërore, me synimin për të modernizuar infrastrukturën e pagesave në Kosovë dhe për ta afruar atë me standardet evropiane.
Si funksionojnë pagesat e menjëhershme në botë?
Pagesat e menjëhershme nuk janë risi në botë.
Vende të ndryshme kanë zhvilluar sisteme që u mundësojnë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë para brenda sekondash, pa u kufizuar nga orari i bankave.
Në Bashkimin Evropian, Banka Qendrore Evropiane e nisi më 2018 sistemin TIPS, përmes të cilit bankat mund të realizojnë pagesa të menjëhershme, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.
Në Shtetet e Bashkuara, Rezerva Federale e lansoi më 2023 sistemin FedNow, i cili u mundëson institucioneve financiare të ofrojnë transfere të menjëhershme për klientët e tyre./Rel
© SYRI.net
Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë, Kurti: Jemi në pritje që ekspertët të mbyllin draftin e ri gjatë kësaj jave
Kurti kërkon statusin e vendit kandidat në BE: Nuk po kërkojmë favor, por një mundësi për ta dëshmuar veten
Mashtroi sikur vuante nga leuçemia dhe mblodhi mbi 190 mijë euro përmes ‘GoFundMe’! Familjarët kërkonin donacione dhe në shesh të Gjilanit