Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për bashkimin e partive të vogla në një front të përbashkët opozitar kundër qeverisë së Edi Ramës, në prag të zgjedhjeve të 9 majit.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se është i gatshëm të nisë negociatat me të gjitha forcat politike që synojnë largimin e kryeministrit Rama nga pushteti, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të ndërtohet pa paragjykime dhe pa cenuar identitetin politik të secilës parti.
“Aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarë pa parti. Të jemi realistë, protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Me atë që unë jam, është që të ulemi pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.”
Ai u ndal edhe te kushti i partive të vogla që kandidati për Bashkinë e Tiranës të jetë një prej figurave të angazhuara në protestë.
Berisha theksoi se protesta ishte një bashkim i paprecedentë, ku morën pjesë përfaqësues të forcave të ndryshme politike dhe qytetarë pa parti, por nënvizoi se kandidatura duhet të përcaktohet përmes diskutimeve të përbashkëta, duke zgjedhur emrin më të përshtatshëm për qytetarët e kryeqytetit.
“Po të nisemi nga protesta të garantoj që në trashëgiminë e tyre, jo ata që kanë 170 ditë, por ata që kanë 507 ditë të regjistruara në protestë në tërësi janë të PD. Kjo është e vërteta! Por, ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementet dhe të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur plotësisht secili identitetin e tij, njëlloj pluraliteti që e kishte vetë protesta, siç e kishte protesta. Socialistët nuk shkuan atje që të bëhen demokratë dhe as demokratët nuk shkuan atje që të bëheshin socialistë, apo për të ndjekur ata që bërtisnin për të shkatërruar protestën, por shkuan të gjithë atje kundër Edi Ramës.”
Sipas tij, qëllimi kryesor duhet të jetë bashkimi i të gjithë faktorëve politikë që e konsiderojnë qeverisjen e Edi Ramës një rrezik dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë për largimin e saj nga pushteti.
“Për largimin nga pushteti të Edi Ramës. Ndaj, ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin e tij për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të qartësohet, e konsideroj Edi Ramën dhe regjimin e tij një rrezik ekzistencial, apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim jam i sigurt se gjen forca në interesin e tij më të mirë, të partisë së tij dhe të lëvizjes së tij, që të bashkohemi në një front.”










