Përfaqësuesja e Malit të Zi në Miss Universe 2026, Marija Aleksandra Ivezaj, është bërë pjesë e një debati të madh në mediat serbe, pasi gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare në Porto Riko bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare.

Mediat serbe e kanë cilësuar veprimin e 22-vjeçares si “skandal”, ndërsa disa prej tyre e kanë lidhur simbolin me idenë e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.

“Skandal në Miss Universe, përfaqësuesja e Malit të Zi tregoi shqiponjën dykrenare”, shkruan Blic në titullin e artikullit të publikuar më 22 nëntor.

Edhe tabloidi Kurir përdor një gjuhë të fortë, duke e cilësuar veprimin si “shfaqje skandaloze” dhe duke shkruar se mis-i shkaktoi një furtunë reagimesh. Media serbe thekson se Marija e përsëriti gjestin edhe në një fotografi të publikuar në profilin e saj zyrtar në Instagram.

Ndërkohë, B92 publikoi një artikull me titullin “Miss-i malazez tregoi shqiponjën shqiptare: Për veprimin e saj po flet i gjithë rajoni”, duke iu referuar raportimit të medias kroate Index.hr.

Reagimet u shtuan edhe për shkak të faktit se Marija përfaqëson Malin e Zi në konkursin ndërkombëtar, ndërsa është me origjinë shqiptare dhe vjen nga Tuzi.

Pas diskutimeve të shumta, vetë 22-vjeçarja reagoi në rrjetet sociale, duke shpjeguar arsyen e veprimit të saj. Ajo tha se e kishte menduar këtë moment përpara se të dilte në skenë dhe kishte zgjedhur ta bënte gjestin për të përfaqësuar edhe vajzat me origjinë shqiptare në Malin e Zi.

“Kur thashë ‘Mali i Zi’ në atë skenë dhe ngrita shqiponjën, isha krenare për të dyja”, shkroi ajo, duke iu referuar njëkohësisht origjinës së saj shqiptare dhe vendit që përfaqëson.

Në fund të reagimit, Marija ishte e prerë për zgjedhjen e saj: “Do ta bëja përsëri”.

Ajo theksoi se dëshironte që edhe vajzat nga komunitetet pakicë në Malin e Zi të ndiheshin të përfaqësuara në këtë kompeticion.