‘Edhe ndërkombëtarët na kanë thënë që opozita duhet të bashkohet’. Kështu deklaroi kreu demokrat gjatë konferencës së shtypit.
‘Të ulemi dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës’, ishte thirrja e tij.
Olta Blaceri, VIZION PLUS: Një pyetje që ka lidhje me zgjedhjet. A është përfundimtar qëndrimi i Partisë Demokratike kundër identifikimit elektronik në zgjedhje? Ju nuk e doni më këtë, keni hequr dorë përfundimisht? Faleminderit.
Sali Berisha: Identifikimi elektronik është akuzuar për abuzime shumë serioze. Gjer dhe për çipe që informojnë se kush votoi dhe kush s'votoi, e të tjera me radhë.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për të mbetur prapë tek zgjedhjet, duke qenë se keni deklaruar më herët se këtë javë do të nisin negociatat për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera të vogla opozitare sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit.
A kanë nisur këto negociata dhe a jeni ju dakord me një kërkesë të shprehur që kandidati për Bashkinë e Tiranës të jetë nga radhët e protestës, pra një figurë jo politike? Faleminderit.
Sali Berisha: Tani, aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarët pa parti. Të jemi realistë, protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë.
Me atë çfarë unë jam, të ulemi në debat, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.
Se po të nisemi nga protesta, të garantoj që në trashëgiminë e tyre, ata që kanë jo 170 ditë, po kanë edhe 500 dhe 700 ditë të regjistruara në protestë, në tërësi janë të Partisë Demokratike. Kjo është e vërteta!
Por ne do fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, dhe që pranojnë, duke ruajtur plotësisht secili identitetin e tij, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta, siç e kishte protesta, se socialistët nuk shkuan aty për t'u bërë demokratë, as demokratët nuk shkuan aty për t'u bërë socialistë, jo, apo për të ndjekur ata që bërtisnin si të shkatërronin protestën, po shkuan të gjithë aty kundër Edi Ramës, për largimin nga pushteti të Edi Ramës.
Ndaj dhe ky është dhe një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin e tij për t'u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama, bashkërisht.
Secili nga ne duhet të qartësohet, e konsideron Edi Ramën dhe regjimin e tij një rrezik ekzistencial apo jo?
Dhe çdonjëri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt se gjen forca në interesin e tij më të mirë, në interesin e partisë së tij, në interesin e lëvizjes së tij, të bashkohemi në një front, sepse nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë po bëjnë ndërkombëtarët, se çfarë po thonë ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni! Dhe ua kanë thënë: Bashkohuni si opozitë!
Të bashkohemi në pluralitetin tonë, në identitetet tona, por të bashkohemi kundër një të keqeje më të madhe, një rreziku ekzistencial kombëtar që është Edi Rama.
Nuk ishte Aleksandër Vuçiç një rrezik ekzistencial i tillë për serbët siç është Edi Rama për shqiptarët, jo!
Nuk e kanë quajtur Aleksandër Vuçiç kryeministrin më të mirë të shqiptarëve. Edi Ramën e kanë quajtur kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiçit. Kjo është e vërteta.
Atëherë hajde vëllezër, hajde zotërinj, këta që, se i dëgjoj, i referohen lëvizjes serbe, normale është t'i referohesh, po ama po iu referove lëvizjes serbe, duhet t'i referohesh vërtetësisht dhe jo kot së koti.
E vërteta është që lëvizja serbe është një përzierje e të gjitha rrymave, që shumë prej tyre s'kanë asgjë të përbashkët në programet e tyre, por konsideruan Aleksandër Vuçiçin një rrezik ekzistencial për të ardhmen e kombit serb.
Ndaj dhe uroj, ne për këtë do punojmë, ne nuk lodhemi.
Unë ftoj të gjithë shqiptarët të konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë.
Me durim, por ne shpresojmë se kjo agjendë do të ecë.
© SYRI.net