Tyson Fury zbulon se është diagnostikuar me skizofreni
Boksieri britanik i kategorisë së rëndë, Tyson Fury, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullim bipolar, pak kohë pas fitores ndaj Wladimir Klitschkos në vitin 2015, kur fitoi titullin e botës.
Fury, 38 vjeç, ka rrëfyer se gjatë asaj periudhe dëgjonte zëra në kokën e tij, të cilët e kërcënonin se do ta lëndonin atë dhe familjen e tij, raporton BBC.
Në një dokumentar që do të publikohet të premten në platformën Netflix, Fury dhe bashkëshortja e tij, Paris, tregojnë për periudhën e vështirë nëpër të cilën kaloi boksieri dhe për diagnostikimin e tij, pas shtrimit në spital në qershor të vitit 2016, me dyshimin se kishte pësuar sulm në zemër.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në ferr. Mendoja se do të përfundoja në një dhomë të izoluar, me dyer të mbyllura, dhe kjo më frikësonte shumë”, ka thënë Fury.
Ai ka treguar se ankthi e kishte rënduar aq shumë, saqë nuk arrinte ta përballonte gjendjen dhe vendosi të kërkonte ndihmë nga një psikiatre në Londër.
Sipas tij, gjatë konsultimit iu parashtruan shumë pyetje dhe simptomat e tij përputheshin me depresionin, ankthin dhe çrregullimin bipolar.
Mjekët fillimisht kishin vlerësuar se Fury kishte pësuar një sulm ankthi. Ai kujton se gjatë qëndrimit në spital dëgjonte radion sikur po i drejtohej atij dhe i lutej bashkëshortes që ta nxirrte nga aty, pasi besonte se organizata “Illuminati” po e kërkonte.
Pas fitores ndaj Klitschkos, Fury kishte shtuar shumë në peshë dhe ishte përballur me varësinë nga droga dhe alkooli.
“Gjendja ishte përkeqësuar aq shumë, saqë dëgjoja zëra në kokën time. Nuk mund të ulesha as të bëja një bisedë, sepse vazhdimisht dëgjoja gjëra në mendjen time. Nuk dija ku të drejtohesha dhe askush nuk dinte çfarë të bënte. Kisha vërtet nevojë për ndihmë, për rehabilitim ose diçka të ngjashme”, ka rrëfyer ai.
Fury ka thënë se për vite me radhë nuk kishte gjetur qetësi dhe dëshironte të kthehej në gjendjen që ai e konsideronte normale.
Pas daljes nga spitali, atij iu konfirmua diagnoza e skizofrenisë dhe çrregullimit bipolar.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe (NHS), skizofrenia është një çrregullim që mund të shkaktojë psikozë, ndërsa simptomat përfshijnë halucinacione, bindje të pavërteta dhe vështirësi në të menduar dhe në të folur. Ndërkaq, çrregullimi bipolar karakterizohet nga ndryshime të theksuara të gjendjes emocionale.
Boksieri ka treguar se një pikë kthese në jetën e tij ishte një mbrëmje e Halloween-it në vitin 2017, kur doli për argëtim dhe u përball me pamjen e tij fizike.
Ai ka kujtuar se ndihej i turpëruar nga pesha e tepërt dhe se, teksa shihte të rinjtë përreth, kuptoi se kishte humbur shumëçka nga jeta e tij.
“Mendova: E kisha botën në duart e mia dhe e hodha gjithçka poshtë. Tani jam një njeri me mbipeshë dhe i varur nga alkooli”, ka rrëfyer Fury.
Ai e cilëson atë moment si fillimin e rikthimit të tij, duke treguar se vendosi t'i kushtonte më shumë rëndësi familjes dhe t'i rikthehej stërvitjeve.
Ky rikthim kulmoi në vitin 2020, kur Fury mposhti Deontay Wilderin dhe fitoi sërish titullin e kampionit të botës.
Aktualisht, Fury po përgatitet për përballjen e shumëpritur britanike në kategorinë e rëndë kundër Anthony Joshua, e cila është planifikuar të zhvillohet më 11 dhjetor në Cardiff. Përballja do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix.















