Policia ka gjetur dy armë tek makina e djegur që dyshohet se i përket autorëve të atentatit ndaj Selami Hasanit dhe nipit të tij, Jakup Hasani, 47 vjeç paraditen e sotme në lagjen nr 1 të Fierit.
Sipas policisë, krimi ka ndodhur në oborrin e banesës së viktimës.
Sipas burimeve, dyshohet se në ngjarje kanë marrë pjesë dy persona, të cilët kanë përdorur një automjet për të mbërritur në vendin ku ndodhej Selami Hasani.
Njëri prej tyre dyshohet se e ka pritur në makinë, me motorin ndezur, pasi rruga ku ndodhej viktima ishte pa dalje.
Ndërkohë, personi tjetër ka zbritur nga automjeti dhe, pasi ka konstatuar se Hasani po punonte pranë murit rrethues të banesës tij në në skelë, e ka qëlluar me armë zjarri, dyshohet pistoletë me silenciator.
Si pasojë e të shtënave, Selami Hasani ka humbur jetën në vend, ndërsa është plagosur edhe nipi i tij, i cili ndodhej pranë tij në momentin e sulmit.
Pas krimit, autori është larguar me shpejtësi dhe është bashkuar me personin tjetër në automjet, me të cilin janë larguar nga vendngjarja, të cilin e dogjën në fshatin Dërmënas.
Burimet pranë Policisë bëjnë me dije se automjeti i djegur dyshohet të ketë qenë i vjedhur, ndërsa targat që mbante rezultojnë të falsifikuara.














