"Bisha" më e re e McLaren shfaqet në Japoni, nga 0 në 200 km/h për 5.8 sekonda
McLaren raportohet se ka dorëzuar hiperveturën e parë W1 te një klient në Japoni, duke shënuar një moment të rëndësishëm për modelin ekskluziv që do të prodhohet në vetëm 399 njësi në mbarë botën.
Dorëzimi është organizuar nga përfaqësia McLaren Nagoya, ndërsa ceremonia raportohet të jetë mbajtur në hotelin Fuji Speedway, në prefekturën Shizuoka.
Fotografitë e automjetit u publikuan në Instagram, megjithëse kompania McLaren ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht dorëzimin.
Vetura është e përfunduar në ngjyrën karakteristike Mantis Green.
Edhe brendësia ndjek të njëjtin kombinim, me ulëse dhe sipërfaqe të veshura me Alcantara të gjelbër.
Personalizimi është realizuar përmes programit McLaren Special Operations (MSO), i cili u mundëson klientëve të zgjedhin kombinime unike të ngjyrave dhe materialeve.
Sa i përket performancës, McLaren W1 përdor një motor V8 4.0-litërsh me dy turbo, të kombinuar me një motor elektrik, që së bashku prodhojnë 1,258 kuaj fuqi.
Hipervetura arrin nga 0 në 200 km/h për vetëm 5.8 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 350 km/h.
Ndërkohë, një tjetër McLaren W1 pritet t'i dorëzohet një klienti në Fukuoka të Japonisë. /Telegrafi/





























