
Inteligjenca artificiale (AI) pritet të revolucionarizojë plotësisht organizimin e udhëtimeve, duke menaxhuar gjithçka nga zgjedhja e destinacionit dhe rezervimi i biletave, deri te ndryshimet gjatë vetë udhëtimit. Një raport i kompanisë globale të teknologjisë së udhëtimeve Amadeus parashikon se viti 2032 do të jetë një pikë kthese, ku AI do të transformojë thelbësisht mënyrën se si njerëzit udhëtojnë.
Kjo tendencë mbështetet nga një sondazh i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), i cili përfshiu mbi 10 mijë persona në 200 vende. Sondazhi zbuloi se 49% e udhëtarëve tashmë e kanë shfrytëzuar inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve, duke e përdorur atë për kërkimin e fluturimeve, gjetjen e çmimeve më të mira ose zbulimin e destinacioneve të reja.
Megjithatë, sipas një raporti të Booking.com, vetëm 12% e tyre do të ndiheshin komodë nëse AI do të merrte vendime të pavarura në emër të tyre. Pavarësisht kësaj, 89% e të anketuarve shprehin dëshirën për të përdorur këtë teknologji në udhëtimet e tyre të ardhshme. Madje, 64% do të ishin të gatshëm të paguanin për një asistent virtual që t’u ofronte informacion dhe ndihmë gjatë pushimeve.
