Grida Duma “për gjynah”: Askush nuk e kupton që vuaj
Moderatorja Grida Duma ka bërë një rrëfim të veçantë për jetën personale, duke folur për vetminë, mungesën e empatisë dhe çmimin emocional që, sipas saj, ka paguar për të ruajtur pavarësinë dhe forcën e karakterit.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, në një bisedë me Ema Andrean, Ori Nebiajn dhe Selin Bollatin, Duma u pyet për dobësinë e saj më të madhe. Përgjigjja ishte befasuese: ajo pranoi se tipari që të tjerët e shohin si forcën e saj kryesore është njëkohësisht edhe dobësia që e shoqëron.
“Pika ime e dobët është pika ime e fortë. Dobësia ime është forca ime. Domethënë, nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Gati e ktheva në mashkullore, domethënë jam shumë e fortë”, u shpreh moderatorja.
Ajo tregoi se imazhi i një gruaje që përballon gjithçka dhe nuk shfaq dobësi shpesh krijon distancë me njerëzit përreth. Sipas Dumës, kjo e ka bërë të ndihet e keqkuptuar, pasi të tjerët nuk arrijnë të dallojnë se pas qëndrimit të fortë fshihen edhe momente vuajtjeje.
“Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj”, tha ajo.
Një nga momentet më domethënëse të bisedës ishte pyetja e Ema Andreas nëse Grida Duma e kishte paguar lirinë me vetmi. Përgjigjja e saj ishte e drejtpërdrejtë: “Absolutisht po”.
Moderatorja shtoi se nuk shqetësohet nga vëmendja publike dhe komentet që mund të marrë, pasi mendon se e ka paguar tashmë koston e zgjedhjeve të saj.
“Le të jetë, nuk më merr njeri më sysh, se e kam paguar unë koston e vetes”, u shpreh Duma.
Gjatë bisedës, ajo foli edhe për mënyrën se si njerëzit mësohen ta shohin në një rol të caktuar, duke e bërë të vështirë ndryshimin e imazhit që kanë krijuar për të.
E pyetur nëse do të dëshironte të ndryshonte diçka në jetën e saj, Duma pranoi se do të kishte shumë gjëra që do të donte t’i bënte ndryshe.
Në fund, ajo ndau edhe një dilemë personale mes asaj që ndien se duhet të bëjë dhe asaj që dëshiron vërtet.
“Unë e dua atë që duhet, megjithatë ka momente që nuk është nevoja të jetë gjithmonë në të njëjtën trajektore. Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time. Vetëm dua, nuk e kam takuar”, përfundoi Grida Duma.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



