
E ardhmja e Ernest Muçit te Trabzonspor po kthehet në një nga çështjet më të diskutuara të merkatos, pas interesimit të konkretizuar nga Roma. Klubi italian duket se e ka seriozisht transferimin e futbollistit të Kombëtares shqiptare dhe ka nisur të mbledhë informacione për të vlerësuar mundësinë e një afrimi gjatë merkatos së janarit.
Interesimi i verdhekuqve është bërë më konkret pas raportimeve se Roma ka dërguar vëzhgues në përballjen mes Trabzonspor dhe Eyupspor, për të ndjekur nga afër paraqitjen e Muçit. Paraqitjet e shqiptarit kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve italianë, të cilët po shqyrtojnë mundësinë për ta rikthyer në futbollin italian.
Ndërkohë, presidenti i Trabzonspor, Ertugrul Dogan, ka konfirmuar se në klub kanë mbërritur oferta zyrtare për tre futbollistë, pa zbuluar identitetin e tyre. Mediat turke dyshojnë se njëri prej tyre mund të jetë pikërisht Ernest Muçi, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Sipas raportimeve nga Turqia, klubi kërkon rreth 22 milionë euro për kartonin e mesfushorit ofensiv shqiptar. Një shifër e konsiderueshme, që mund ta komplikojë operacionin për Romën.
Trabzonspor nuk ka ndërmend të dobësojë skuadrën gjatë janarit, pasi Muçi konsiderohet një element i rëndësishëm në planet e trajnerit. Pas 12 javësh kampionat, skuadra turke renditet në vendin e dytë, vetëm tri pikë larg Galatasarayt kryesues.
Për këtë arsye, drejtuesit nuk dëshirojnë të humbasin një prej lojtarëve të tyre kryesorë në mesin e sezonit. Megjithatë, një ofertë prej 22 milionë eurosh mund të ndryshojë qëndrimin e klubit turk.
