Kroacia mund t'ia bllokojë Malit të Zi rrugën drejt BE-së, shkak një kontest territorial

Kroacia po shton presionin diplomatik ndaj Malit të Zi për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje territoriale, duke rrezikuar përparimin e Podgoricës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas dy burimeve diplomatike të Euronews, Zagrebi po kërkon që Mali i Zi të zgjidhë çështjen e gadishullit strategjik të Prevlakës dhe ujërave përreth, përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit.
Prevlaka, megjithëse është një territor i vogël dhe pothuajse i pabanuar, ka rëndësi strategjike për kontrollin e kufirit detar, qasjen në Gjirin e Kotorrit dhe rezervat e mundshme të naftës dhe gazit.
Që nga viti 2002, të dyja vendet kanë funksionuar sipas një marrëveshjeje të përkohshme, ku Kroacia kontrollon gadishullin, ndërsa Mali i Zi pjesën më të madhe të ujërave përreth.
Ministrja malazeze për Çështjet Evropiane, Maida Gorčević, ka deklaruar se Podgorica është e gatshme t'i drejtohet gjykatës ndërkombëtare ose arbitrazhit nëse nuk arrihet marrëveshje.
Megjithatë, Kroacia kundërshton arbitrazhin dhe kërkon që Mali i Zi të njohë zyrtarisht kufirin ekzistues tokësor.
Mosmarrëveshja tashmë ka ndikuar në negociatat me BE-në.
Mali i Zi kishte synuar të mbyllte të paktën katër kapituj negociues në konferencën e fundit ndërqeveritare, por arriti të mbyllte vetëm dy për shkak të kundërshtimit kroat.
Mali i Zi synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028. Aktualisht, i kanë mbetur edhe tetë nga 33 kapitujt negociues për t'u mbyllur përkohësisht.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka theksuar se Zagrebi kërkon marrëveshje për kufirin tokësor përpara përfundimit të negociatave.
Ndërkohë, Gjermania i ka bërë thirrje Kroacisë të mos lejojë që mosmarrëveshjet dypalëshe të pengojnë zgjerimin e BE-së.
Komisioni Evropian vlerëson se Mali i Zi i ka përmbushur kriteret teknike për mbylljen e të gjithë kapitujve, por vendimi përfundimtar kërkon miratimin unanim të 27 shteteve anëtare. /Telegrafi/

































