Nga Genc Burimi
Gjatë fundjavës që u mbyll, korveta ruse Merkury u godit dhe u fundos në portin e Bengazit, në lindje të Libisë, pas një sulmi të papritur me dronë detarë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mori përsipër autorësinë e këtij operacioni, duke deklaruar se sulmi u krye nga forcat ukrainase. Por pyetja shtrohet: nga erdhën dronët? Goditja është aq e rëndë dhe e pazakontë për marinën ushtarake ruse në një port kaq të largët nga Rusia, saqë një media e madhe dhe mjaft serioze ndërkombëtare si Associated Press (AP) publikoi menjëherë një shkrim mbi origjinën e mundshme të dronëve. Shkatërrimi i një luftanije që vetë Putini e nderoi në paradën fill pas inagurimit të saj para tre vitesh prodhon shumë zhurmë dhe hamendje.
Shqipëria e mohon kategorikisht thashethemin se është implikuar në sulmin kundër marinës ruse në Libi
Sipas Associated Press, duke cituar zyrtarë ushtarakë libianë, dronët ishin lëshuar nga një bazë e ndodhur në perëndim të Libisë drejt portit të Bengazit, në lindje të Libisë, ku ndodhej e ankoruar korveta ruse Merkury. Por pak më vonë, një tjetër media shumë më pak “prestigjioze” se Associated Press, një sit informativ turk thuajse i panjohur, “Clash Report”, hodhi një tezë tjetër totalisht të çuditshme. Pa cituar burimet që thotë se i disponon, kjo media turke online pretendoi se dronët nuk ishin lëshuar nga Libia perëndimore drejt asaj lindore, por shumë më larg nga lindja, nga brigjet e Shqipërisë, domethënë nga një distancë rreth 800 km! Ky aludim i rëndë ndaj Shqipërisë për implikim në një konflikt që ka marrë përmasa botërore, solli natyrshëm reagimin e menjëhershëm të qeverisë shqiptare nëpërmjet Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme. Kjo i përgënjeshtroi me forcë këto akuza të hedhura, sipas saj, kundër Shqipërisë në disa rrjete sociale, si të pasakta dhe pa asnjë provë të verifikueshme. Shqipëria e mohon kategorikisht se territori i saj mund të jetë përdorur për sulmin ndaj luftanijes ruse në Libi.
Konflikti ruso-turk në Libi si baza e dyshimeve
Për të kuptuar pse emri i Shqipërisë u përfshi papritur në këtë ngjarje, duhet parë së pari realiteti gjeopolitik i Libisë së sotme. Që nga rënia e Gadafit 15 vjet më parë, Libia, ende në situatë lufte civile, është e ndarë de facto në dy zona të mëdha influence. Perëndimi i vendit, me qendër kryeqytetin Tripoli që njihet nga OKB-ja, është nën kontrollin e forcave që mbështeten politikisht dhe ushtarakisht nga Turqia. Erdogani mban madje aty edhe një bazë të madhe ushtarake, atë të Misratës. Përballë saj, qëndron në anën lindore të Libisë Rusia, që mban një bazë në Bengazi, për të mbështetur forcat e gjeneralit rebel Khalifa Haftar. Rusia e përdor këtë bazë edhe si pikë kyçe për flotën dhe operacionet e saj në Afrikë. Në këtë kontekst, artikulli i Associated Press se dronët ukrainas ishin nisur nga perëndimi i Libisë hidhte drejtpërdrejt një hije dyshimi mbi Turqinë. Duke cituar si dëshmitarë libianë në atë zonë, një shkrim i tillë mund të linte të nënkuptohej se Ankaraja ose kishte mbyllur sytë, ose kishte lejuar që zona e saj ushtarake të ishte përdorur për të goditur Rusinë, të cilën Turqia e ka thuajse aleate në Detin e Zi, por rivale në Mesdheun libian.
Pikërisht këtu lind një paradoks i madh mediatik dhe diplomatik. Kundër-lajmi se dronët nuk vinin nga pjesa nën influencën turke të Libisë, por vinin nga Shqipëria, u përhap nga Clash Report, një media me bazë në Stamboll që njihet si e afërt me pushtetin në Turqi. Në këtë media punojnë ish-gazetarë të mediave shtetërore turke. Në pamje të parë, ky lajm që fajëson Shqipërinë mund të duket si një manovër shtetërore turke për ta larguar vëmendjen nga Ankaraja zyrtare dhe për të shmangur çdo përplasje diplomatike Putin – Erdogan. Por pse në kurriz të Shqipërisë, kur dihet botërisht se Shqipëria është një nga aleatet më të ngushta strategjike të Turqisë në Ballkan dhe se Ankaraja nuk ka asnjë interes të njollosë Tiranën? Për më tepër, cila agjenci ndërkombëtare lajmesh e publikoi menjëherë e para përgënjeshtrimin zyrtar të Tiranës për t’i dhënë sa më shumë jehonë ndërkombëtare? Ishte pikërisht agjencia zyrtare shtetërore turke e lajmeve, Anadolu Agency, duke u distancuar kështu nga lajmi i Clash Report, një media që supozohet edhe ajo të jetë e afërt me Ankaranë. Shpjegimi i këtij paradoksi mund të jetë kërkimi i një scoop-i mediatik nga ana e Clash Report. Artikulli i Clash Report ku akuzohej Shqipëria, citonte në fakt burime anonime me origjinë nga “kampi i lindjes së Libisë”. Pra, nga zona e kontrolluar prej forcave pro-ruse. Ky fakt tregon se media private turke thjesht mund të ketë riprodhuar me nxitim një informacion të rremë të hedhur në qarkullim nga vetë Rusia. Kjo e fundit, për të shmangur konfliktin diplomatik duke akuzuar drejtpërdrejt Turqinë, bën një manovër thashethemesh duke përzier Shqipërinë, një manovër që në fund të fundit është sikur të akuzosh edhe Turqinë, meqenëse të dyja vendet janë aleate si në NATO, ashtu edhe në planin dypalësh.
Pyetja nga erdhën dronët mbetet e hapur
Atëherë, nga u lëshuan realisht dronët ukrainas kundër korvetës ruse në Libi? Kjo mbetet e vështirë të thuhet me saktësi pa një hetim të pavarur ndërkombëtar. Por një gjë është teknikisht dhe ushtarakisht e vështirë për t’u besuar: ato nuk mund të jenë lëshuar nga Shqipëria. Është thuajse e pamundur që dronë detarë të përshkojnë qindra kilometra në detin Jon dhe Mesdhe, duke kaluar përmes ujërave të mbikëqyrura rreptësisht nga radarët dhe flotat e Greqisë, Italisë dhe vetë NATO-s, pa u pikasur nga askush. Dronët mund të jenë nisur edhe nga ndonjë anije tregtare në det të hapur ose nga një pikë e fshehtë bregdetare në Mesdheun jugor, por pista shqiptare mbetet e pabesueshme. E hapur mbetet edhe pyetja se kush fshihet pas këtij dezinformacioni mbi Shqipërinë. Një gjë është e sigurt: kjo ngjarje do të dëmtojë besimin e brishtë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë. Në të dyja variantet e hedhura në tregun mediatik, hija e dyshimit bie mbi Ankaranë, si në rastin kur dronët mund të jenë lëshuar nga perëndimi i Libisë ku Turqia është e pranishme, ashtu edhe në skenarin e sajuar të Shqipërisë, vend aleat i ngushtë i Turqisë. Sa për Tiranën, e gjithë kjo histori të shërbejë si një kujtesë e qartë se në luftërat moderne hibride, edhe një vend i vogël mund të përfshihet papritur në lojërat e aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë. A s’e kishte provuar një herë një gjë të tillë Shqipëria në rastin e opozitës iraniane që ende strehohet në truallin e saj?






