Një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, me hyrje të kamufluar brenda një magazine, është zbuluar nga Policia në Shkodër. Në kuadër të operacionit “Labirinti” janë arrestuar 10 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 2 600 bimë kanabisi dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar.
Sipas Policisë, kontrollet u ushtruan në dy objekte në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit në njërën prej magazinave, efektivët zbuluan një hyrje të fshehur që të çonte në një strukturë nëntokësore.
Ambientet ishin ndarë në dy pjesë. Njëra ishte pajisur me llamba për kultivimin e bimëve të kanabisit në vazo, ndërsa tjetra shërbente për përpunimin e lëndës narkotike.
Në pranga ranë Dorjana Kovaçi, 36 vjeçe, Migena Perçi, 38 vjeçe, Agim Kovaçi, 61 vjeç, Endrit Kovaçi, 41 vjeç, Ronaldo Dule, 28 vjeç, Arben Guri, 37 vjeç, Artur Lika, 46 vjeç, Fatmir Luka, 18 vjeç, Ervin Toli, 25 vjeç, dhe Anton Toli, 30 vjeç.
Të arrestuarit janë banorë të Gjirokastrës, Cërrikut, Tiranës, Poliçanit, Ishull-Lezhës dhe Mirditës. Policia bëri të ditur se njëri prej tyre, 46-vjeçari Artur Lika, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis dhe 170 kilogramë lëndë bimore e përpunuar, e paketuar në 10 thasë plastikë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.


