Partia Demokratike do të kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese hartën e re territoriale-administrative, me të cilën pritet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme vendore.
Gazment Bardhi deklaroi në Report TV se këtë javë grupi parlamentar i PD-së do ta dërgojë reformën e re territoriale në Kushtetuese, duke kundërshtuar miratimin e saj, ndërsa paralajmëroi se brenda dhjetorit do të përcaktohen të gjithë kandidatët për bashkitë.
Në intervistën për emisionin “Sot Live në Shqipëri”, me gazetarin Nertil Agalliu, Bardhi tha se opozita nuk e konsideron urgjente ndryshimin e formulës së zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, duke theksuar se prioritet duhet të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Grupi ynë do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar miratimin antikushtetues të reformës së re territoriale-administrative. S’ka urgjencë në formulën e përzgjedhjes së këshilltarëve. Në kohën kur u ngrit komisioni, nuk dihej që mazhoranca do të bënte një reformë të njëanshme”, tha Bardhi.
Ai shtoi se PD-ja nuk e sheh si emergjencë as adresimin në Kodin Zgjedhor të mënyrës së votimit për këshillat bashkiakë, duke insistuar se fokusi duhet të jetë te procesi zgjedhor.
“Duan t’i japin ngjyrime urgjence, le të vazhdojnë, për ne e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta, që partitë politike të mos konkurrojnë me shtetin përballë”, u shpreh ai.
Paralelisht me betejën kundër hartës së re territoriale, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore. Bardhi bëri të ditur se procesi i konsultimit me anëtarësinë do të mbyllet deri më 30 nëntor, pas të cilit do të vijojë përzgjedhja e kandidatëve.
“Brenda 30 nëntorit mbyllim procesin e brendshëm të vjeljes nga anëtarësia. Pas kësaj do të ketë një paraseleksionim nga një komision i ngritur nga Kryesia dhe më pas do të gjykohet nga Kryesia e partisë nëse do t’i propozojë organeve statutore që në këtë zgjedhje primaret të mos aplikohen”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, lista e plotë e kandidatëve të PD-së për njësitë e qeverisjes vendore pritet të jetë gati gjatë muajit dhjetor.
“Besoj brenda muajit dhjetor do të kemi listën e plotë të kandidatëve tanë në njësitë e qeverisjes vendore. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, PD e ka bërë të qartë që nuk bojkoton, por do të marrë pjesë në çdo proces”, tha ai.
Bardhi deklaroi gjithashtu se PD-ja mbetet e hapur për bashkëpunim me faktorët e tjerë opozitarë, por paralajmëroi se nëse bashkimi nuk arrihet, kjo do të jetë zgjedhja e tyre.
“Nëse bashkimi nuk është i mundur, sepse ata mund të duan të mundin opozitën dhe jo Ramën, është zgjedhja e tyre”, u shpreh Bardhi.
I pyetur për Erion Veliajn dhe mundësinë e bashkëpunimit politik me të, Bardhi tha se nuk beson se Sali Berisha kërkon ta bëjë kryebashkiakun e Tiranës pjesë të një bashkëpunimi, duke kujtuar përplasjet e mëparshme mes tyre dhe rolin e Veliajt në qeverisjen e Edi Ramës.
“Unë nuk besoj që Sali Berisha kërkon të bëjë Erion Veliajn, e ka luftuar më shumë se kushdo për modelin që ka ngritur në bashkinë e Tiranës dhe qeverisjen e vendit ku ka qenë anëtar i kabinetit Rama 1. Ajo që Berisha e ka ftuar, është që Erion Veliaj ka qenë një bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës. Nëse ka kryer krime, i ka kryer bashkarisht me të. Ftesa e çdo shqiptari ndaj tij do të ishte t’i shërbente interesit publik duke bashkëpunuar me drejtësinë për krimet që ka kryer Edi Rama dhe duke i bërë transparencë qytetarëve shqiptarë për krimet që ka kryer Edi Rama”, deklaroi Bardhi.
Në të njëjtën intervistë, Bardhi akuzoi SPAK-un për hetime të paplota ndaj Belinda Ballukut dhe pretendoi se institucioni po merr urdhra politikë.
Ai tha se ka identifikuar vetë klinikën në Milano ku, sipas pretendimeve të tij, Balluku ka kryer ndërhyrje estetike me shpenzime të fshehura, ndërsa SPAK nuk ka hetuar në mënyrë të plotë këto çështje.
