Cesc Fabregas nuk dëshiron që rezultatet pozitive ta bëjnë Comon të humbasë përqendrimin. Në prag të sfidës së Champions League kundër AEK-ut të Athinës, trajneri spanjoll paralajmëroi lojtarët e tij për vështirësinë e përballjes, duke vlerësuar forcën fizike dhe mentalitetin e kundërshtarit.

“AEK-u u ka shkaktuar probleme edhe skuadrave të mëdha si Real Madridi. Është një ekip shumë fizik dhe dominues, edhe në kampionatin e vet. Ka një mentalitet të shkëlqyer dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe efikasë në ndeshjen e nesërme”, deklaroi Fabregas.

Como po kalon një moment të shkëlqyer, me shtatë fitore në tetë ndeshjet e fundit, por tekniku spanjoll kërkon të mbajë larg skuadrës etiketën e favoritit.

“Ne nuk jemi favoritë. Jemi një klub i vogël, me një atmosferë fantastike dhe me shumë hapësirë për t’u përmirësuar. E dimë se cilat janë limitet tona dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qetësi. Nuk mund të kontrollojmë atë që flitet jashtë klubit, por duhet të dimë të menaxhojmë emocionet tona”, theksoi ai.

Fabregas u ndal edhe te situata në repartin ofensiv, ku dëmtimi i Moise Kean i ka shtuar përgjegjësitë për Tasos Douvikas. Trajneri vlerësoi gatishmërinë dhe karakterin e sulmuesit grek, i cili po përballet me një kalendar të ngjeshur.

“Douvikas është një luftëtar. Ai di si të përballojë situata të tilla. I dhashë pushim të mërkurën, por në vend të kësaj u paraqit në stërvitje. Ka një mentalitet të shkëlqyer dhe dëshiron gjithmonë më të mirën për skuadrën. Jemi me fat që e kemi me ne”, u shpreh trajneri.

Përpara merkatos së janarit, Comos i kanë mbetur edhe shtatë ndeshje, ndaj Fabregas kërkon që skuadra ta menaxhojë me kujdes këtë periudhë. Objektivi i menjëhershëm është përballja me AEK-un, ku italianët synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive edhe në arenën europiane.