“Më thanë se është normale”, e bleu shtëpinë me një çmim të leverdishëm, pronarja alarmohet pasi vuri re…

23/11/2026 16:58

Blerja e një shtëpie të re ishte një nga arritjet më të rëndësishme për Brette Abshier. Por ajo që nisi si një investim i mirë, përfundoi në një shqetësim të madh, pasi vetëm pak vite pas blerjes, në shtëpinë e saj në Austin të Teksasit filluan të shfaqeshin çarje gjithnjë e më të mëdha.

Fillimisht, Abshier nuk i kushtoi shumë rëndësi një çarjeje të vogël në pllakat e dyshemesë së dhomës së ndenjjes, e cila u shfaq vitin e kaluar. Por disa muaj më vonë, ajo nisi të zgjerohej me shpejtësi, duke u shtrirë në të gjithë shtëpinë. Çarjet u shfaqën në themele, mure, tavan dhe në suvanë e jashtme të ndërtesës. Madje, edhe gozhdët në muret e shtëpisë nisën të dilnin jashtë.

Shtëpia ishte ndërtuar nga kompania amerikane Lennar, ndërsa Abshier e kishte blerë në vitin 2019. Kompania i kishte komunikuar se themelet e banesës vazhdonin të ishin brenda kufijve të lejuar të tolerancës. Megjithatë, pronarja nuk ishte e bindur se situata ishte normale dhe vendosi të ndajë shqetësimin e saj në rrjetet sociale.

“Një mëngjes, ndërtuesi erdhi për të kontrolluar shtëpinë time dhe më tha se çarja që kalon nga njëra anë e shtëpisë në tjetrën është krejtësisht normale. Dua të di nëse kjo është normale dhe nëse edhe njerëz të tjerë po përjetojnë të njëjtën gjë, sepse nuk mendoj se është normale”, shkroi ajo në një video të publikuar në “TikTok” në shtator.

Abshier ka publikuar rreth një duzinë videosh ku dokumenton problemet e banesës së saj. Videot kanë marrë qindra mijëra shikime, ndërsa njëra prej tyre ka kaluar 1.2 milionë shikime.

“Sa më shumë e shoh dëmin, i cili po përkeqësohet gradualisht, aq më i madh duket projekti që më pret. Në këtë pikë, nuk bëhet fjalë vetëm për riparimin e themeleve dhe vendosjen e një dyshemeje të re. Kam probleme pothuajse në çdo dhomë të shtëpisë”, tha ajo për CNN.

Rasti i Abshier vjen në një kohë kur tregu amerikan i banesave po përjeton një ndryshim të rëndësishëm. Pas një periudhe të gjatë, shtëpitë e reja kanë nisur të shiten me çmime më të ulëta se banesat ekzistuese.

Sipas Byrosë së Regjistrimit të SHBA-së, çmimi mesatar i një shtëpie të re ishte 400,400 dollarë në shtator, krahasuar me 417,500 dollarë për një banesë ekzistuese, sipas Shoqatës Kombëtare të Agjentëve Imobiliarë. Me çmimet rekord të banesave dhe kostot e larta të kredive, shumë blerës po orientohen drejt ndërtimeve të reja, të tërhequr nga çmimet më të përballueshme.

Për të joshur klientët, kompanitë e mëdha të ndërtimit po ofrojnë gjithnjë e më shumë plane banesash më të vogla e më ekonomike, si dhe lehtësi financiare, përfshirë mbulimin e kostove të mbylljes së kontratës dhe uljen e normave të interesit të kredive.

Megjithatë, kompanitë e ndërtimit po përballen gjithashtu me akuza për punime me cilësi të dobët. Sipas një eksperti ligjor, paditë kundër ndërtuesve të mëdhenj janë në rritje, ndërsa rastet që bëhen virale në rrjetet sociale tregojnë problemet që mund të shoqërojnë blerjen e një shtëpie të re.

Ekspertët ngrenë shqetësime se presioni për të ndërtuar më shumë banesa në një kohë sa më të shkurtër, së bashku me mungesën e punëtorëve të kualifikuar, mund të ndikojë në cilësinë e ndërtimeve.

Jordan Van Voorst, një inspektor banesash që punon në Florida dhe Alabama, thotë se vitet e fundit ka vënë re shumë më tepër probleme në shtëpitë e reja.

“Gjysmën e inspektimit e kalon duke shkuar nëpër shtëpi dhe duke tundur gjërat. Do të habiteshit se sa shumë gjëra janë të lira: ndriçuesit, ishujt e kuzhinës, pasqyrat”, tha ai.

Sipas tij, shumica e problemeve mund të riparohen lehtësisht, por blerësit që blejnë shtëpinë e tyre të parë janë veçanërisht të ekspozuar, pasi shpesh nuk dinë çfarë duhet të kontrollojnë.

Nga ana tjetër, banesat e reja kanë edhe avantazhe, pasi zakonisht janë më efikase në konsumimin e energjisë dhe ndërtuesit janë të detyruar të riparojnë problemet që mbulohen nga garancia.

Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Celina, pranë Dallasit, ku Brad Crabtree po përballet me dëmtime të konsiderueshme në shtëpinë e tij. Një çarje e madhe është hapur përgjatë anës së banesës, duke dëmtuar tullat dhe duke ekspozuar shtresat e brendshme të murit.

Edhe brenda shtëpisë, pllakat e dyshemesë janë çarë dhe kanë krijuar skaje të mprehta. Sipas Crabtree, fëmijët e tij janë detyruar të kenë kujdes kur ecin, ndërsa në disa raste kanë prerë këmbët.

“Sa herë që bie shi, qëndroj zgjuar duke dëgjuar shiun që godet anën e shtëpisë ku ka një hapësirë të madhe të çarë, duke menduar: Shpresoj që kjo të mos më krijojë një problem tjetër”, tregoi ai.

Edhe shtëpia e Crabtree, e blerë në vitin 2021, ishte ndërtuar nga Lennar. Në fund të shtatorit, pas disa muajsh komunikimi dhe mosmarrëveshjesh, kompania ra dakord të kryente riparimet. Të dyja banesat mbulohen nga garancia strukturore 10-vjeçare e kompanisë. Në një deklaratë për CNN, Lennar tha se qëndron pas cilësisë së banesave që ndërton.

“Çdo shtëpi e re Lennar mbulohet nga garancia jonë e kufizuar 1-2-10: një vit për cilësinë e punimeve, dy vjet për sistemet dhe 10 vjet për elementet strukturore”, deklaroi një përfaqësues i kompanisë.

Ai shtoi se kompania është në kontakt me pronarët që kanë ngritur shqetësime dhe po punon për të shqyrtuar dhe trajtuar secilin rast. Pavarësisht problemeve, Crabtree thotë se familja e tij ka krijuar kujtime të bukura në këtë banesë, por pranon se do të kishte bërë më shumë pyetje përpara blerjes.

“A pendohem për këtë shtëpi? Fëmijët tanë e kanë shijuar rritjen këtu, por ndoshta duhet të kishim bërë më shumë pyetje. Ose, duke ditur atë që dimë sot, ndoshta do të kishim blerë diku tjetër”, u shpreh ai.

As Crabtree dhe as Abshier nuk kanë deklaruar se synojnë të ndërmarrin veprime ligjore, të paktën për momentin. Abshier thotë se kohët e fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë ndërtuese dhe shpreson që ajo të marrë përgjegjësinë për problemet.

“Ka shumë njerëz në jetën time që më thonë se jam paksa tepër optimiste. Por unë shpresoj që ndërtuesi të bëjë gjënë e duhur”, përfundoi ajo.

Top Channel