“Sigurisht që jam njeri”, politikani amerikan reagon pas videos virale

23 Nëntor 2026 | 17:01

Një video e shkurtër, ku një politikan amerikan shfaqet duke lëvizur sytë në mënyrë të pazakontë, është bërë virale në rrjetet sociale, duke nxitur teori konspirative se ai nuk është njeri, por një krijesë zvarranike apo edhe demon. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Jordan Wright, anëtar të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut nga radhët e Partisë Demokratike, i cili është detyruar të reagojë publikisht për të hedhur poshtë këto pretendime.

Gjithçka nisi të premten e kaluar, kur Wright mori pjesë në një konferencë për shtyp në bashkinë e Nju Jorkut, ku kryebashkiaku Zohran Mamdani prezantoi planin për mbylljen e burgjeve në ishullin Rikers.

Ndërsa Mamdani po fliste para gazetarëve, Wright, i cili qëndronte mes të pranishmëve, u shfaq në një video të shkurtër duke buzëqeshur lehtë, duke pulitur sytë dhe më pas duke i drejtuar ata lart, në një mënyrë që bënte të dukej kryesisht pjesa e bardhë e tyre.

Pamjet u shkëputën dhe nisën të shpërndaheshin në rrjetet sociale. Përdorues që mbështesin teori konspirative pretenduan se kjo lëvizje ishte një shenjë se politikani nuk ishte njeri, por një krijesë zvarranike apo një demon i maskuar në formë njerëzore.

“Kështu pulitin sytë hardhucat”

Videoja shkaktoi reagime të shumta, me disa përdorues që e lidhën shprehjen e pazakontë të Wright me teorinë konspirative sipas së cilës jashtëtokësorë në formë zvarranikësh jetojnë mes njerëzve, duke marrë pamjen e tyre.

“Ja se si pulitin sytë hardhucat”, shkroi një prej përdoruesve që shpërndau videon. Një tjetër pretendoi se besonte se jashtëtokësorë të ngjashëm me ata të filmit “Men in Black” jetojnë mes njerëzve, të maskuar dhe të fshehur në pamje të parë.

Edhe komentatori amerikan Alex Jones reagoi ndaj pamjeve, duke pretenduar në një postim në rrjetin social X se bëhej fjalë për demonë që kishin kaluar nga një dimension tjetër në botën tonë.

Megjithatë, këto pretendime nuk mbështeten nga asnjë provë shkencore. Përballë përhapjes së teorive, vetë politikani vendosi të reagojë.

Në një intervistë për gazetën amerikane “New York Post”, Jordan Wright tha se nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur në momentin kur ishte regjistruar videoja. Ai u përpoq gjithashtu t’u jepte fund spekulimeve, duke iu referuar edhe punës së tij në legjislaturë.

“Sigurisht që jam një qenie njerëzore dhe humanizmi im dëshmohet përmes punës sime legjislative, siç është financimi prej 4 milionë dollarësh për qendrën e drejtësisë mjedisore WE ACT në Harlem”, deklaroi Wright.

“Për zvarranikët apo jashtëtokësorët nuk mund të flas”, shtoi ai.

Jordan Wright është djali i Keith L. T. Wright, kryetar i organizatës së Partisë Demokratike në Manhattan. Ai përfaqëson distriktin e 70-të zgjedhor të Nju Jorkut, i cili përfshin Manhattanville, një pjesë të Hamilton Heights dhe pjesën më të madhe të Central Harlem.

Në zgjedhjet e nëntorit, Wright u rizgjodh pa kundërshtarë, pasi më herët kishte fituar përballë demokratit socialist Conrad Blackburn në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike, të mbajtura në qershor.

Teoritë konspirative për “njerëzit-zvarranikë”

Ideja se politikanë dhe persona të tjerë me pushtet janë në të vërtetë krijesa zvarranike që kanë marrë formë njerëzore është një prej teorive konspirative që qarkullojnë prej vitesh në internet.

Rrëfime të ngjashme janë shfaqur edhe në letërsinë fantastike që në shekullin XX, ndër të tjera në veprat e shkrimtarit Robert E. Howard, krijuesit të personazhit “Conan Barbarit”. Në këto vepra përshkruheshin krijesa humanoide në formë zvarranikësh, të afta të kontrollonin mendjen e njerëzve.

Më vonë, kjo ide u përhap përmes teorive konspirative, sipas të cilave krijesa të tilla kontrollojnë qeveritë dhe institucionet më të rëndësishme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE prezanton paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, në shënjestër bankat e kriptomonedhat

Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke zgjeruar presionin ekonomik, financiar dhe diplomatik ndaj Moskës për shkak të luftës në...
17:01 | 23/11/2026

Rezidenca e Will Smith në Kaliforni përfshihet nga flakët (VIDEO)

Një zjarr shpërtheu herët të hënën në mëngjes në rezidencën 42 milionë dollarëshe të Will Smith dhe Jada Pinkett Smith në Calabasas të Kalifornisë. Sipas...
16:57 | 23/11/2026

Nvidia rivendos Jensen Huang si CEO

Bordi i drejtorëve të prodhuesit amerikan të çipave Nvidia vendosi unanimisht të rikthejë bashkëthemeluesin e kompanisë Jensen Huang në pozicionin e drejtorit ekzekutiv dhe vendimi hyn...
16:37 | 23/11/2026