Një shtetas shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane në Bolzano, pasi në automjetin dhe banesën e tij u zbuluan rreth 2 kilogramë lëndë narkotike dhe 13 mijë euro cash.
Sipas autoriteteve, vlera e drogës së sekuestruar në tregun e paligjshëm do të arrinte të paktën 100 mijë euro.
Sipas mediave të huaja hetimet nisën pasditen e 19 nëntorit, në rrugën Verona të Bolzanos, ku efektivët vunë re lëvizjet e dyshimta të shqiptarit. Pas një periudhe vëzhgimi, policia ndaloi automjetin që ai drejtonte për kontroll.
Gjatë verifikimeve, i riu shfaqi nervozizëm dhe dha deklarime kontradiktore për arsyen e qëndrimit në qytet. Fillimisht pretendoi se kishte mbërritur në Itali për turizëm së bashku me bashkëshorten dhe vajzën, ndërsa në automjet ndodhej edhe një karrocë fëmijësh. Por verifikimet zbuluan se dy familjaret e tij ishin larguar më herët nga territori italian. Më pas ai deklaroi se ndodhej në zonë për arsye pune, por nuk arriti ta dokumentonte këtë pretendim.
Kontrolli i automjetit çoi në zbulimin e rreth 20 gramëve kokainë, të ndarë në doza dhe të fshehur poshtë pjesëve plastike pranë sediljes së shoferit. Në portofolin e tij u gjetën gjithashtu 315 euro, që dyshohet se vinin nga aktiviteti i shitjes së drogës.
Pas këtij zbulimi, efektivët ushtruan kontroll edhe në banesën e shqiptarit në komunën e Appianos, ku zbuluan sasi të tjera narkotikësh të fshehura në mobilie të ndryshme.
Në total, në banesë u sekuestruan rreth 920 gramë kokainë, 946 gramë marijuanë dhe 57 gramë hashash. Gjithashtu, policia gjeti peshore elektronike, materiale për përzierjen dhe paketimin e drogës, si dhe rreth 13 mijë euro cash, të ndara në tufa me kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
Testet e kryera konfirmuan se substancat e sekuestruara ishin lëndë narkotike. Në përfundim të operacionit, shqiptari u arrestua në flagrancë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe u dërgua në burg.
Sipas përllogaritjeve të policisë italiane, nëse droga do të ndahej në doza dhe do të shitej në tregun e paligjshëm, vlera e saj do të arrinte të paktën 100 mijë euro.
Autoritetet italiane nuk kanë bërë të ditur identitetin e të arrestuarit.













