Kallëzim penal ndaj një polici burgu, është kapur duke shitur drogë gjatë orarit të punës
SPB Strumicë, drejtuar Prokurorisë Themelore Publike Strumicë, ka paraqitur kallëzim penal kundër R.S. (50) nga Strumica, mbi dyshime të bazuara se ka kryer veprat penale "Prodhim i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve“, sipas nenit 215, "Prodhimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese“, sipas nenit 396, si dhe "Vjedhje“, sipas nenit 235 të Kodit Penal.
"Më 21.11.2026, në afërsi të Burgut të Strumicës, nëpunës policorë nga SPB Strumicë e kanë privuar nga liria R.S. Ai, në vendin e tij të punës si polic burgu, para burgut në Strumicë, kishte tentuar t'i shiste kokainë një personi tjetër, me ç'rast tek ai janë gjetur tri paketime me kokainë. Nga masat e ndërmarra më tej, gjatë kontrolleve të kryera në shtëpinë e të kallëzuarit dhe në hapësirat zyrtare që ai i përdorte në burg, janë gjetur disa paketime me kokainë, një paketim me marihuanë dhe një peshore digjitale".
"Gjithashtu, gjatë kontrollit të dollapit zyrtar, të cilin e përdorte i kallëzuari, janë gjetur fishekë për pistoletë, sasia e të cilëve ishte më e madhe se ajo që i ishte dhënë në përdorim si polic burgu. Njëkohësisht, gjatë kontrollit është gjetur edhe një portofol, i cili buron nga një vjedhje e denoncuar më 21.11.2026".
"Për të gjitha masat e ndërmarra është njoftuar prokurori publik, ndërsa R.S. është mbajtur në Stacionin Policor Strumicë. Pas paraqitjes së kallëzimit penal, ai është nxjerrë para gjykatësit kompetent, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh", thonë nga MPB.





























