
Gjykata e rrethit në Hagë ka vendosur të ndalojë prodhuesin kinez të automjeteve BYD të shesë modelin Ti7 në Bashkimin Europian, pasi konkludoi se ai i ngjan tepër modelit Land Rover Defender. Vendimi u shpall të premten, ndërsa Jaguar Land Rover (JLR) e mirëpriti atë të hënën, sipas Euronews.
Sipas gjykatës, Ti7 ndan elemente të dallueshme dhe të mbrojtura të dizajnit të Defender L663, përfshirë “shpatullat” e lakuara të karrocerisë, qoshet e rrumbullakosura, harqet e rrotave dhe siluetën e përgjithshme të mjetit. Vendimi ndalon BYD të importojë, prodhojë, magazinojë ose shesë Ti7 kudo në BE.
Kur produktet shiten në të gjithë bllokun, një gjykatë kombëtare në Europë mund të lëshojë vendime për pronësinë intelektuale që zbatohen në të gjithë BE-në. Megjithatë, ndalimi nuk përfshin Mbretërinë e Bashkuar. Gjykata deklaroi se nuk kishte juridiksion mbi degën britanike të BYD-së dhe rrëzoi pretendimet e JLR-së të bazuara në të drejtat e dizajnit në Mbretërinë e Bashkuar.
Modeli Ti7 doli në shitje në Kinë vitin e kaluar dhe nuk është ende i disponueshëm në BE, por sipas gjykatës pritet që dërgesat drejt Britanisë të nisin në janar. Një zëdhënës i JLR-së i tha AFP-së se kompania vazhdon të investojë në kreativitet dhe inovacion, mbron pronësinë e saj intelektuale dhe ndërmerr veprime ligjore kur është e nevojshme.
Ai shtoi se procedurat ligjore vijojnë dhe se kompania nuk do të komentojë më tej për momentin. Nga ana e saj, BYD deklaroi se nuk pajtohet fuqishëm me vendimin dhe se do të apelojë. Sipas kompanisë kineze, Ti7 është rezultat i punës së saj të pavarur të dizajnit dhe nuk cenon asnjë të drejtë të JLR-së. Pas vendimit, aksionet e BYD-së ranë 4 për qind në Hong Kong të hënën në mëngjes dhe e mbyllën sesionin 1.9 për qind më poshtë.
