Bora e parë në Kukës, reshjet zbardhin zonën pranë Tunelit të Kalimashit
Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, i cili mbeti i plagosur gjatë atentatit të ndodhur sot në Fier, ka dalë nga gjendja kritike për jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit.
Nipi i viktimës ka dalë nga operacioni në Fier dhe është dërguar në reanimacion, jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë katër plumba në trup.
Pas operacionit, Hasani është dërguar në repartin e reanimacionit, ku do të mbahet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. I plagosuri ndodhet nën masa të rrepta sigurie.
Viktima është qëlluar me armë zjarri teksa po punonte në oborrin e banesës së tij, në murin rrethues të shtëpisë. I plagosur rëndë mbeti djali i vëllait të tij.
Një ngjarje e rëndë kriminale e regjistruar më 25 mars 2002 në Fier lidhet me emrin e Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, i cili sot u ekzekutua në oborrin e banesës.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Selami Hasani u shpall fajtor për bashkëpunim në një vrasje të dyfishtë. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Sheshi i Valutës”, ku një automjet tip fuoristradë Mercedes-Benz, në të cilin ndodheshin Julian Isufi, (ose nipi i Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”), dhe Bledar Kastrati, u qëllua me armë zjarri.
Sipas dosjes gjyqësore, nga të shtënat mbetën të vrarë Julian Isufi dhe Esat Taze, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Sipas konkluzioneve të gjykatave, Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani kishin vepruar në bashkëpunim dhe kishin pasur një marrëveshje paraprake për realizimin e krimit. Ata kishin siguruar mjetet e nevojshme, përfshirë blerjen e automjetit dhe sigurimin e një arme automatike.
Në momentin e atentatit, Pëllumb Yzeiraj qëlloi me armë zjarri në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin personat e shënjestruar. Ndërkohë, Selami Hasani zbriti nga automjeti dhe qëndroi pranë tij.
Pas të shtënave, të dy u larguan me të njëjtën makinë, e cila, sipas vendimit, u ndoq nga një automjet policie. Në vendimin e Gjykatës së Lartë përmendet se gjykatat e faktit e kishin cilësuar ngjarjen si një vrasje të kryer për shkak të hasmërisë. Megjithatë, mbrojtja e Selami Hasanit e kundërshtoi këtë përfundim, duke pretenduar se motivi i hakmarrjes nuk ishte provuar me prova konkrete.
Top Channel