
Projektligji i ri për sponsorizimet dhe donacionet, i cili synon të mbështesë financiarisht sportin, artin dhe kulturën, nuk ka bindur klubet shqiptare të futbollit. Pakënaqësitë lidhen kryesisht me tavanin financiar, kufizimet e vendosura dhe mënyrën se si do të shpërndahen fondet.
Kundër mënyrës se si është hartuar ligji është shprehur edhe presidenti i Partizanit, Gazmend Demi. Në një intervistë për Report TV, ai e cilësoi projektin të paplotë, duke argumentuar se tavani prej 3 miliardë lekësh të rinj në vit rrezikon të kufizojë ndjeshëm përfitimet për klubet sportive.
“Është një ligj i gjysmuar. Po thonë se do jepen 30%, por nuk jep as 30%, asgjë, sepse i ke vendosur tavan. Si biznesit, si dhe sa do të merren? Kush do të marrë më përpara, arti, kultura apo sporti? Do të katandiset ‘kokoshi një thelë’. Do të marrë kombëtarja pak më shumë, ndërsa ne do të jemi prapë… Domethënë, do të tallen me ne”, deklaroi Demi.
Sipas projektligjit, bizneset do të kenë mundësi të financojnë sportin, artin dhe kulturën deri në 30% të tatimit mbi fitimin, duke e zbritur shumën e sponsorizuar nga detyrimet tatimore. Megjithatë, presidenti i Partizanit kërkon që fondet të ndahen me përqindje të përcaktuara dhe që klubet të kenë më shumë liri në përfitimin e tyre.
“Ta ndajnë. Le ta bëjnë 10% dhe 10% sportin, por të jetë e lirë dhe të kontrollohet”, u shpreh ai.
Një tjetër pikë që ka shkaktuar debat është përjashtimi i kompanive të basteve nga mundësia për të sponsorizuar, edhe në rast se aktiviteti i tyre rikthehet në kuadrin ligjor. Demi e sheh këtë kufizim si të panevojshëm, duke marrë si shembull futbollin në kampionatet e huaja.
“Dje pashë futbollin në Itali. Këtu te ne nuk do të lejohet të sponsorizojmë kompanitë e basteve, pavarësisht se për momentin nuk ka. Po si ore, e gjithë bota i lejon, ndërsa ne jo? A jemi ne më mirë se gjithë bota?”, deklaroi presidenti i Partizanit.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur rezerva për projektligjin, duke kërkuar që tavani vjetor i sponsorizimeve të arrijë të paktën në 10 miliardë lekë, ose rreth 111 milionë euro.
Gazmend Demi mbështet nevojën për një fond më të madh, duke argumentuar se investimet në sport do të sillnin përfitime edhe për vetë shtetin, përmes rritjes së punësimit, pagesës së sigurimeve shoqërore dhe formalizimit të aktivitetit ekonomik.
“Në qoftë se do të bëhet 100 milionë, por qoftë edhe 50 milionë, unë e jap me garanci: në qoftë se do të jepen 50 milionë nga shteti, gjysma do të rikthehet prapë përmes taksave në shtet. Pse? Do të paguhen sigurime shoqërore më shumë. Do të formalizohen të gjithë, se sot nuk jemi 100%, por kjo nesër do të ndodhë”, theksoi Demi.
Ndërkohë, projektligji parashikon edhe një kufi për subjektet sponsorizuese. Asnjë biznes i vetëm nuk do të mund të kontribuojë me më shumë se 30 milionë lekë të rinj në vit për sponsorizime dhe donacione në sport, art dhe kulturë, një shumë që përllogaritet në rreth 330 mijë euro.
Pavarësisht pritshmërive të krijuara nga ky projektligj, reagimet e drejtuesve të futbollit tregojnë se skema e propozuar nuk i ka përmbushur kërkesat e klubeve, të cilat kërkojnë më shumë hapësirë financiare dhe një mekanizëm më të qartë për shpërndarjen e fondeve.
