
Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, i doli në mbrojtje shokut të skuadrës Vinicius Junior në konferencën për shtyp para ndeshjes me PSV-në. Sipas belgut, braziliani po kalon një moment të vështirë dhe ka nevojë për mbështetje, jo për trajtim të veçantë.
Courtois theksoi se është e vështirë të ruash gjithmonë të njëjtën formë të mirë dhe të jesh vazhdimisht një “numër 9” apo një “numër 10”. Këtë gjë, sipas tij, e kanë arritur vetëm dy lojtarë: Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi.
Courtois: Vinicius është kritik ndaj vetvetes
“Ne e mbështesim njëri-tjetrin. Nuk ka nevojë për ndonjë trajtim të veçantë apo më të afërt ndaj tij”, tha portieri belg. Ai shtoi se Vinicius Junior është kritik ndaj vetvetes dhe e di që duhet të punojë.
Sipas Courtois, kjo lidhet me gjendjen mendore të lojtarit. “E shoh më të gjallëruar. Ai duhet të ndihet i lirë, të shijojë futbollin e tij. Kur luan kështu, ai është më i mirë”, u shpreh ai.
Belgu e mbylli me një kërkesë të qartë për ekipin. “Nëse duam të jemi konkurrues, kemi nevojë për Vinin në formën e tij më të mirë”, tha Courtois.
