Emanuela humbi jetën duke çuar fëmijët në festë, e ëma kërkon mes lotësh nipërit e plagosur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.11.2026, 19:42

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Emanuela Shahini, vetëm 31 vjeçe, ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Prata di Pordenone, duke lënë pas dy fëmijë të mitur dhe një familje të zhytur në dhimbje.

Momentet më rrëqethëse janë regjistruar pak pas aksidentit, kur nëna e saj ka mbërritur në vendngjarje. Një britmë dhimbjeje ka thyer heshtjen e rëndë që kishte pushtuar zonën, ndërsa gruaja, e mbështetur nga dy familjare, është afruar mes lotësh për t'i dhënë lamtumirën e fundit së bijës.

E tronditur nga ajo që kishte ndodhur, ajo pyeste vazhdimisht për nipërit, pa mundur të besonte se vajza e saj nuk ishte më. Një skenë dramatike që ka prekur të gjithë të pranishmit.

Aksidenti tragjik ndodhi të dielën, më 22 nëntor, rreth orës 11:30, në rrugën Casali Nogherate. Emanuela po udhëtonte me një automjet tip “Ford Fiesta”, së bashku me dy fëmijët e saj, 4 dhe 6 vjeç, si dhe një fëmijë tjetër 10-vjeçar. Ata po shkonin drejt zonës së Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e ditëlindjes së nipit.

Por udhëtimi u kthye në një tragjedi. Për shkak të shiut dhe asfaltit të rrëshqitshëm, makina humbi kontrollin në një kthesë, doli nga rruga, u përplas me një shtyllë betoni dhe më pas u përmbys. Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjet.

Gjendja e 31-vjeçares ishte tepër e rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Pordenones, ku mjekët tentuan ta mbanin në jetë përmes manovrave të reanimacionit kardiopulmonar. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, Emanuela ndërroi jetë rreth orës 12:30.

E plagosur mbeti edhe vajza e saj 4-vjeçare, e cila për shkak të gjendjes së rënduar u transportua me helikopter drejt spitalit Santa Maria della Misericordia në Udine. Fatmirësisht, ajo nuk ndodhet në rrezik për jetën. Dy fëmijët e tjerë u dërguan në urgjencën e spitalit të Pordenones, ku iu nënshtruan kontrolleve mjekësore. Edhe ata fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Humbja e parakohshme e 31-vjeçares ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin ku ajo jetonte. Emanuela kishte ëndrra për të ardhmen dhe dëshironte të ndërtonte një jetë të pavarur, duke krijuar një punë të sajën.

Një udhëtim i zakonshëm drejt një feste familjare u kthye në tragjedinë më të madhe për familjen Shahini. Emanuela u nda nga jeta vetëm 31 vjeçe, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël dhe një dhimbje që vështirë se mund të përshkruhet me fjalë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit