Rreth 12 mijë persona u evakuuan nga një koncert në Mançester të Britanisë së Madhe, pasi një substancë e panjohur u përhap mes turmës, duke shkaktuar shqetësime shëndetësore dhe panik.
Ngjarja ndodhi gjatë performancës së reperit amerikan Don Toliver. Dëshmitarët raportuan për një erë shumë të rëndë, ndërsa disa persona nisën të bërtisnin dhe të kolliteshin, duke krijuar konfuzion mes të pranishmëve.
Sipas autoriteteve, një person u transportua në spital, ndërsa më shumë se 80 të tjerë u kontrolluan nga ekipet mjekësore për probleme me frymëmarrjen dhe shikimin. Për disa prej të prekurve u krye edhe dekontaminim në vendngjarje.
Policia bëri të ditur se ende nuk dihet se çfarë substance është përdorur. Fillimisht u dyshua për gaz lotsjellës, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Evakuimi përfshiu të gjithë hapësirën e koncertit, ndërsa disa pjesëmarrës shprehën pakënaqësi për mënyrën e reagimit dhe mungesën e kontrolleve të sigurisë.
Organizatorët e aktivitetit, të cilët administrojnë edhe një nga hapësirat më të mëdha të qytetit për evente muzikore, deklaruan se po bashkëpunojnë me policinë për të përcaktuar shkakun e incidentit.
Hetimet vijojnë për të identifikuar substancën dhe personat përgjegjës për përhapjen e saj.


