Obeziteti po kthehet në një nga sfidat më të mëdha globale të shëndetit publik, me mbi 1 miliard njerëz që jetojnë me këtë gjendje në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2025 obeziteti tejkaloi për herë të parë nënpeshën si formë më e përhapur e kequshqyerjes te fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 deri në 19 vjeç.
Përballë përmasave të këtij fenomeni, Spanja dhe 20 vende të tjera janë bashkuar me OBSH-në dhe UNICEF-in në një nismë globale, që synon uljen e përhapjes së obezitetit me 5% deri në vitin 2030.
Të dhënat e OBSH-së tregojnë se që nga viti 1990, obeziteti është më shumë se dyfishuar te të rriturit dhe është katërfishuar te adoleshentët, duke sinjalizuar një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës.
Plani i përbashkët parashikon një sërë masash për të frenuar përhapjen e tij. Ndër to janë taksimi i pijeve me sheqer, kufizimi i reklamimit të ushqimeve jo të shëndetshme për fëmijët, përmirësimi i ushqyerjes në shkolla dhe nxitja e aktivitetit fizik.
OBSH e cilëson obezitetin si një sëmundje kronike dhe komplekse, e cila nuk lidhet vetëm me peshën trupore, por edhe me një sërë faktorësh që ndikojnë në shëndetin e individit.
Kjo gjendje rrit rrezikun për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe disa llojeve të kancerit. Për këtë arsye, organizatat ndërkombëtare kërkojnë ndërhyrje të koordinuara, me fokus të veçantë te fëmijët dhe adoleshentët, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të problemit.


