Rreth 40 nxënës kanë mbetur të lënduar pas shpërthimit të një mjeti piroteknik në ambientet e një gjimnazi në Lion të Francës, mëngjesin e së hënës, 23 nëntor. Ngjarja shkaktoi panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës.

Incidenti ndodhi rreth orës 09:55, gjatë pushimit mes orëve të mësimit, në gjimnazin “La Martinière Monplaisir”, ku një mjet piroteknik u ndez dhe u hodh në mes të sallës së pritjes.

Sipas drejtuesit të institucionit, rreth 40 nxënës pësuan lëndime të lehta ose përjetuan gjendje shoku. Ata morën ndihmën e parë në infermierinë e shkollës, ndërsa nuk raportohet për dëmtime të rënda.

Dy nxënës janë identifikuar si të dyshuar për ngjarjen dhe janë arrestuar nga autoritetet, bëri të ditur drejtori në një komunikim me prindërit.

Pas incidentit, mësuesit vendosën të ndërpresin mësimin gjatë orëve të pasdites, në shenjë reagimi ndaj ngjarjes dhe shqetësimeve për sigurinë në ambientet e shkollës.

Sipas medias franceze “Le Progrès”, ky nuk është rasti i parë i ngjashëm në këtë institucion. Javën e kaluar, këshilltarja kryesore e arsimit dhe drejtori i gjimnazit mbetën të plagosur pasi në ambientet e shkollës u hodhën mjete piroteknike.

Incidentet e përsëritura kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e nxënësve dhe stafit, ndërsa autoritetet po vijojnë të hetojnë ngjarjet.