Nisma e re ligjore për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale pritet të dorëzohet gjatë kësaj jave në Kuvendin e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se po punohet edhe për sqarimin e procedurave lidhur me projektligjin e mëparshëm, të kthyer për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Haxhiu deklaroi se Kryesia e Kuvendit i është drejtuar Drejtorisë Ligjore për të marrë një opinion mbi mënyrën se si duhet të veprohet me projektligjin e kthyer nga presidentja, duke qenë se ai nuk është shqyrtuar brenda afatit të paraparë.
“Sipas informacioneve që unë i kam, një nismë e re lidhur me këtë do të procedohet brenda javës”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se çështjet e ngritura deri më tani kanë qenë kryesisht të natyrës procedurale.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, konfirmoi se ekspertët janë duke përfunduar ndërhyrjet e fundit në nismën e re ligjore, e cila pritet të procedohet gjatë ditëve në vijim.
Ajo theksoi se gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare do të ketë konsultime dhe diskutime, me synimin që projektligji të kalojë sa më shpejt në të dyja leximet.
Për përfundimin e punës së ekspertëve ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se institucionet janë në pritje të finalizimit të dokumentit gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që nisma e re të procedohet pa vonesa në Kuvend.
Sipas tij, projektligji i mëparshëm nuk do të kthehet për votim, por do të ndiqet rruga e një nisme të re ligjore.
Debati për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është rikthyer pas iniciativës së PDK-së për kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale, pas vendimeve gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Projektligji i mëparshëm ishte miratuar në Kuvend dhe më pas ishte dërguar në Zyrën e Presidentes për dekretim, por procesi u kthye për rishqyrtim.
Tashmë, partitë politike dhe institucionet po presin finalizimin e nismës së re, e cila pritet të hapë një tjetër debat parlamentar për të ardhmen dhe mandatin e Gjykatës Speciale.
