Evropa është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave me Rusinë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Kështu deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Berlin.
Merz bëri të ditur se bisedimet në nivel këshilltarësh të sigurisë kombëtare, ku do të përfshihen Ukraina, Rusia, vendet evropiane dhe SHBA-ja, mund të zhvillohen sërish në Abu Dhabi gjatë javëve të ardhshme.
“Sigurisht, Evropa është e gatshme të negociojë me Rusinë”, u shpreh kancelari gjerman, duke shtuar se shpreson që edhe Moska të pranojë të marrë pjesë në negociatat e dakordësuara me Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, Merz kërkoi që Rusia të ndalë provokimet në hapësirën ajrore evropiane. Ai theksoi se siguria e Evropës dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të ecin paralelisht.


