114.6 kilogramë kokainë të fshehura në kamion/ Arrestohet në Francë shoferi shqiptar, mohon akuzat
Arion Kurtaj, 21-vjeçari shqiptar që qëndron pas një prej sulmeve më të bujshme kibernetike ndaj kompanisë Rockstar Games, është dënuar me shtatë vite burg nga një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, i riu është liruar, pasi kishte kaluar një periudhë të konsiderueshme në paraburgim.
Kurtaj u bë i njohur ndërkombëtarisht pasi arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games, duke vjedhur rreth 90 video nga loja e shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA VI), përpara publikimit të saj. Ai publikoi disa prej pamjeve në internet, nën pseudonimin TeaPotUberHacker, duke kërcënuar gjithashtu se do të nxirrte kodin burimor të lojës nëse kompania nuk do të kontaktonte me të.
21-vjeçari, i cili ishte pjesë e grupit të hakerave Lapsus$, pranoi gjithashtu përfshirjen në një seri sulmesh kibernetike ndaj kompanive të mëdha, përfshirë BT/EE, Revolut dhe Uber. Sulmet u kryen gjatë periudhës gusht 2021-shtator 2022, kur ai ishte ende adoleshent.
Gjatë dhënies së vendimit në Gjykatën e Kurorës në Woolwich, gjykatësi Turner e cilësoi Kurtajn një të ri me aftësi të jashtëzakonshme, duke i bërë thirrje të mos i përdorë talentet e tij për aktivitete kriminale.
“Ju jeni padyshim një i ri shumë i talentuar. Mos i shpërdoro ato talente duke kaluar pjesën tjetër të jetës sate brenda e jashtë burgut”, deklaroi gjykatësi.
Sulme ndaj kompanive të mëdha teknologjike
Përveç sulmit ndaj Rockstar Games, shqiptari kishte depërtuar edhe në sistemet e kompanisë britanike të telekomunikacionit BT dhe operatorit celular EE. Veprimet e tij dyshohet se kishin shkaktuar një numër të konsiderueshëm shkëmbimesh të paligjshme të kartave SIM, duke u mundësuar kriminelëve të merrnin kontrollin e telefonatave dhe mesazheve të viktimave, si dhe të hynin në llogaritë e tyre bankare dhe në rrjetet sociale.
Edhe pas arrestimit dhe transferimit në një hotel, Kurtaj arriti të kryente sulme të tjera kibernetike, duke përdorur një telefon celular, lidhjen Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Fire Stick.
Në rastin e Revolut, ai komprometoi të dhënat që u përkisnin mijëra klientëve, ndërsa sulmi ndaj platformës Uber përfshiu vjedhjen e informacioneve të ndjeshme dhe fshirjen e të dhënave nga sistemet e brendshme. Dëmi financiar për kompaninë Uber vlerësohet në më shumë se 2.8 milionë dollarë.
U mbajt në spital psikiatrik për shkak të gjendjes shëndetësore
Në dhjetor të vitit 2023, gjykata vendosi që Kurtaj, i cili është autik, të mbahej pa një afat të përcaktuar në një spital psikiatrik, në bazë të Aktit të Shëndetit Mendor. Në atë kohë, ekspertët psikiatër e kishin vlerësuar të papërshtatshëm për t’u deklaruar fajtor ose për t’u përballur me një proces gjyqësor.
Megjithatë, një vlerësim tjetër i kryer në vitin 2025 arriti në përfundimin se ai ishte në gjendje të pranonte akuzat.
Javën e kaluar, 21-vjeçari u deklarua fajtor për disa vepra penale, mes tyre ndërhyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike, mashtrim dhe sigurim të aksesit të paligjshëm në materiale kompjuterike. Ai pranoi gjithashtu posedimin e një telefoni celular në burg dhe dy akuza për sulm ndaj një punonjësi të shërbimit të urgjencës.
Kurtaj ishte arrestuar fillimisht në shtator të vitit 2022, ndërsa vendimi i fundit i gjykatës e dënon me shtatë vite burg, por ai është liruar pasi kishte vuajtur më parë një pjesë të dënimit në paraburgim.
Top Channel