Celebrities Live From Tirana

Bieta Sulo: Lufta në Ukrainë më ka tronditur më shumë se çdo tjetër histori në karrierën time…

Në një moment emocionues të intervistës në Top Albania Radio, gazetarja Bieta Sulo ka ndarë një nga kujtimet më prekëse të karrierës së saj si drejtuese e emisionit “Ftesë në 5”.

Sulo rrëfeu për momentin kur shpërtheu lufta në Ukrainë, në shkurt të 2022-shit, duke kujtuar mesazhin që u dërgoi stafit të saj atë mëngjes: “Grupi plasi lufta”.

“Ftesë në 5 ka hyrë në bunkeret e vendstrehimit, ku strehoheshin ukrainasit. Kemi intervistuar njerëz me profesione të ngritura, të shkolluar, me punë të mira, por që ishin bashkë si familje me tre fëmijë të vegjël të shtrirë mbi dy batanije në tokë, në bunker,” tregoi gazetarja.

Sulo theksoi se këto ngjarje e kanë bërë të kuptojë se lufta nuk i takon vetëm kinematografisë apo historisë, por është një realitet që mund të ndodhë brenda pak orësh dhe të ndryshojë jetën e një familjeje apo të një kombi të tërë.

“Flasim në momente ku kemi trazira nëpër Europë, kemi trazira në lindje dhe fatkeqësisht vazhdon,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e këtyre historive njerëzore në punën e saj gazetareske.