
Rënia e euros ka sjellë që pas 23 vitesh çmimet e apartamenteve në vend të tregtohen në monedhën vendase. Për agjentët imobiliarë, ndryshimi i nisur prej 3 muajsh po shtrihet në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme, përfshirë në shitblerjen e apartamenteve me kontrata porosie, të përfunduara dhe rishitje.
Nga mesi i vitit 2016, euro filloi nënçmimin e pandalshëm, duke zbritur për herë të parë ditën e sotme nën kufirin e 90 lekëve.
Në raport me nivelin maksimal historik prej 142,8 lekësh, të shënuar më 9 qershor 2011, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 37%, duke arritur një minimum të ri historik më 20 nëntor nën kufirin e 90 lekëve.
Në Tiranë, çmimet e apartamenteve në kullat rezidenciale po shiten me çmim mbi 6 mijë euro për metër katror.
Kjo rritje dyshifrore e çmimeve, e shkëputur nga ritmi i rritjes së të ardhurave, po rikthen debatin nëse tregu i pasurive të paluajtshme po mbivlerësohet dhe nëse ekziston rreziku i krijimit të një flluske. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar arriti në 92 mijë lekë.
Si u bë euro monedha e preferuar për pagesa pas vitit 2003
Kur euro doli si monedhë fizike në janar të vitit 2002, u këmbye mesatarisht me 123 lekë, ndërsa dollari amerikane në atë kohë këmbehej në tregun vendas me 140 lekë, teksa në bursa euro këmbehej me 0.88 dollarë.
Më pas monedha e përbashkët filloi të rritej me shpejtësi dhe nga viti 2003, kur euro u barazua dhe e tejkaloi dollarin në bursa, ajo filloi të ishte dhe monedha e preferuar e shqiptarëve, teksa pagesat e makinave, apartamenteve etj u konvertuan nga dollari në euro.
Pasi ishte e dobët në 2007-2008, në rreth 123-124 lekë, euro u rrit me shpejtësi në vitet në vijim, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në 15 qershor 2011, preh gati 143 lekësh. Nga 2009-a deri në mesin e 2016-s, euro arriti në një pikë të re ekuilibri në 138-140 lekë.
Nga mesi i vitit 2016, euro filloi nënçmimin, duke zbritur në 135 lekë në fund të 2016-s. Zhvlerësimi ishte i pandalshëm për dekadën në vijim. Euro ra për herë të parë nën 100 lekë më 12 gusht 2024, kur u këmbye me 99,95 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në fund të javës së kaluar euro ra për herë të parë nën nivelin e 90 lekëve./Monitor