Jeta e një të reje me origjinë shqiptare në Itali, kujtimet e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe ëndrrat për liri përmes televizionit italian janë në qendër të filmit “Raffaella 2000”, xhirimet e të cilit kanë nisur në Romë.

Filmi është vepra e parë me metrazh të gjatë e regjisores Andree Lucini, ndërsa pjesë e kastit është edhe aktori shqiptar Edmond Budina, krahas Chiara Ferrara, Laura Adriani, Antonio Bannò, Astrid Meloni dhe Jenny De Nucci.


Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, përcjell Telegrafi, xhirimet kanë nisur më 2 nëntor në Romë dhe do të zgjasin pesë javë.

Historia e filmit fillon në ditën e vdekjes së Raffaella Carràs, kur Maru, një e re me origjinë shqiptare, e cila bën një jetë monotone në periferi të Romës, vendos të ndajë në rrjetet sociale historinë e nënës së saj.

Ashtu si shumë gra të tjera gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, nëna e saj ndiqte programet e mbretëreshës së televizionit italian, duke ëndërruar për një liri që në atë kohë ishte ende e largët.

Videoja bëhet virale dhe Maru krijon iluzionin se e ka ndryshuar jetën e saj përgjithmonë. Megjithatë, fama e përkohshme do ta detyrojë atë të përballet me zgjedhje që mund ta çojnë deri në sakrifikimin e gjithçkaje për t’iu përshtatur kërkesave të algoritmit.

Përpara realizimit të këtij filmi, Andree Lucini iu ishte përkushtuar filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, ndër të cilët “For an Hour of Love”, i prezantuar në Alice nella Città në vitin 2022, “Full of Grace”, i prezantuar në Festivalin e Filmit në Romë në vitin 2024, dhe “The Girl from Prague”, i nominuar për çmimin David di Donatello 2025 në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër.

“Raffaella 2000” është prodhuar nga Pier Giorgio Bellocchio, Manetti Bros. dhe Désirée Manetti për Mompracem, si dhe Laura Catalano për 8 Production.

Filmi është një bashkëprodhim i Mompracem dhe 8 Production, në bashkëpunim me Rai Cinema, dhe është zhvilluar në kuadër të programit Biennale College Cinema 11 të Bienales së Venedikut.

Realizimi i tij është mbështetur nga Fondi i Ministrisë së Kulturës për Zhvillimin e Investimeve në Kinema dhe Industrinë Audiovizuale.

Skenari është shkruar nga Paola Perillo, Andree Lucini dhe Désirée Manetti, ndërsa fotografia është realizuar nga Claudio Cascavilla, montazhi nga Ginevra Iuorio, skenografia nga Giovanni Bardi dhe kostumet nga Annalaura Belli./Telegrafi/